Pas shumë spekulimeve në rrjetet sociale, Juliana Nura ka vendosur të flasë hapur për një nga momentet më të rëndësishme të jetës së saj. Ish-finalistja e Big Brother VIP Kosova ka bërë të ditur se është në pritje të fëmijës së saj të parë.
Ajo u shfaq me barkun e rrumbullakosur në premierën e reality show-t të saj, "Eagle Queen", duke konfirmuar kështu lajmin që prej kohësh ishte komentuar nga publiku.
Në një intervistë për Prive by Liberta Spahiu, Juliana tregoi se është bërë nënë në pritje përmes procedurës së fertilizimit in vitro (IVF), ndërsa theksoi se këtë rrugëtim e ka nisur pa një partner.
Duke iu përgjigjur kuriozitetit të madh për identitetin e babait biologjik, ajo sqaroi se donatori është shqiptar, duke theksuar se edhe fëmija i saj është shqiptar nga të dy prindërit biologjikë.
Sipas saj, ky ishte një vendim i menduar gjatë dhe jo i marrë në mënyrë impulsive. Juliana u shpreh se zgjodhi këtë rrugë për të shmangur pasiguritë që mund të sillte një marrëdhënie e pasuksesshme dhe për t'i ofruar fëmijës një mjedis sa më të qetë.
Ajo komentoi edhe kritikat që ka marrë, duke thënë se askush nuk mund ta gjykojë pa e ditur historinë e saj. Sipas Julianës, mbështetjen më të madhe e ka marrë nga gratë, të cilat e kanë përgëzuar për vendimin që ka marrë.
Më shumë rreth këtij rrugëtimi personal, Juliana ka bërë të ditur se do ta ndajë me publikun në episodet e reality show-t të saj, "Eagle Queen".
