KreuCelebrity

Përplasja mes Can Yaman dhe ish-producentit rikthehet në qendër të vëmendjes, aktori shpërthen me akuza të forta

Përplasja mes Can Yaman dhe ish-producentit rikthehet në qendër
Një intervistë e fundit e producentit të njohur turk Faruk Turgut ka rihapur konfliktin e vjetër me aktorin Can Yaman. I pyetur nëse do të pranonte të bashkëpunonte sërish me yllin e serialit Erkenci Kuş, Turgut u përgjigj prerazi se nuk do ta bënte.

Producenti, themelues i Gold Film, u shpreh se, pavarësisht suksesit të madh që seriali pati në Turqi dhe jashtë saj, eksperienca e punës me Can Yaman nuk kishte qenë pozitive. Sipas tij, sjellja dhe deklaratat e aktorit pas famës ndikuan që ai të mos dëshironte më një bashkëpunim të ri.

Deklarata nuk kaloi pa reagim. Can Yaman publikoi një mesazh të gjatë në rrjetet sociale, ku përdori tone të ashpra dhe ironike ndaj ish-producentit. Në postimin e tij ai e akuzoi Turgut se prej vitesh vazhdon ta sulmojë publikisht për shkak të vendimit të tij për të ndjekur një rrugë tjetër profesionale.

Aktori pretendon se largimi i tij nga Gold Film dhe bashkëpunimi me kompani të tjera krijuan pakënaqësi te producenti, duke shtuar se janë bërë përpjekje për t’i penguar projektet e tij të reja. Ai mohoi gjithashtu pretendimet për ekzistencën e një marrëveshjeje mes tyre, duke theksuar se asgjë e tillë nuk ka ndodhur.

Në të njëjtin reagim, Can Yaman vuri në dukje sukseset e karrierës së tij ndërkombëtare. Ai përmendi serialin historik El Turco, i cili është shitur në disa tregje ndërkombëtare, si dhe projektin Sandokan, që ka ngjallur interes të madh në Itali dhe pritet të shfaqet edhe në vende të tjera.

Aktori u shpreh se është i kënaqur me rrugëtimin e tij profesional dhe la të kuptohet se pengesat e hasura gjatë viteve kanë shërbyer si motivim për të ndërtuar një karrierë edhe më të suksesshme jashtë Turqisë.

Deri tani, Faruk Turgut nuk ka reaguar ndaj akuzave të bëra nga Can Yaman. Megjithatë, përplasja mes tyre ka tërhequr vëmendjen e mediave turke dhe fansave, duke u kthyer në një nga temat më tëdiskutuara të showbiz-it ditët e fundit.