
Për herë të parë që pas përfundimit të “Big Brother VIP”, Selin Bollati dhe DJ Gimbo kanë dhënë një intervistë së bashku, ku kanë folur jo vetëm për bashkëpunimin e tyre muzikor me Rezarta Shkurtën në projektin “DJ Remix”, por edhe për marrëdhënien e tyre jashtë kamerave.
Çifti zbuloi se tashmë kanë nisur bashkëjetesën, ndërsa e ndajnë kohën mes Shqipërisë dhe Kosovës. Selin tregoi se nuk kanë zgjedhur një vend të vetëm për të jetuar, por lëvizin sipas angazhimeve, duke qëndruar herë pranë familjes së saj në Tiranë dhe herë pranë familjes së DJ Gimbos në Prishtinë dhe Istog.
Ata folën edhe për ndryshimin mes jetës brenda shtëpisë së reality show-t dhe asaj pas daljes. Sipas DJ Gimbos, eksperienca në shtëpi ishte shumë më sfiduese, pasi çdo veprim interpretohej nga publiku, ndërsa jashtë kanë mundur ta jetojnë marrëdhënien më lirshëm.
Nga ana tjetër, Selin rrëfeu se fillimisht kishte dëshirë ta mbante romancën larg rrjeteve sociale, pasi beson te privatësia dhe te “syri i keq”. Megjithatë, me kalimin e kohës kuptuan se mungesa e postimeve së bashku krijonte spekulime të vazhdueshme për një ndarje, ndaj vendosën të ndajnë herë pas here momente me ndjekësit, duke ruajtur një ekuilibër mes jetës private dhe asaj publike.
