KreuBusull

Skandal në Milano, Alessandro Bastoni nën hetim për dyshime mbi prostitucion me të mitur

Skandal në Milano, Alessandro Bastoni nën hetim për dyshime mbi
Skandali që lidhet me rrjetin e eskortave të luksit në lokalet e natës në Milano po merr përmasa të reja, teksa kanë nisur të dalin edhe emrat e futbollistëve të përfshirë në hetim. Sipas mediave italiane, emri i parë i bërë publik është ai i mbrojtësit të Interit dhe përfaqësueses italiane, Alessandro Bastoni.

Sipas La Repubblica, Bastoni ka marrë një njoftim zyrtar për hetim nga Prokuroria e Milanos, ndërsa dyshohet për veprën penale të prostitucionit me të mitur. Futbollisti pritet të merret në pyetje nga prokurorët në ditët në vijim.

Hetimi lidhet me një takim të dyshuar me një vajzë, e cila në kohën e ngjarjes ishte 17 vjeç. Fillimisht, ajo mohoi çdo lidhje me futbollistin, por sipas dokumenteve të hetimit, përgjimet telefonike të qershorit 2020 tregojnë kontakte mes Bastonit dhe të miturës përmes një punonjësi të klubit “Ma De”, që ndodhet në qendër të çështjes.

Ndërkohë, Guardia di Finanza u ka dërguar kërkesa për informacion edhe tre futbollistëve të tjerë, të cilët aktualisht po hetohen vetëm në cilësinë e dëshmitarëve.

Hetimi, i koordinuar nga Prokuroria e Milanos dhe Guardia di Finanza, synon të zbardhë funksionimin e rrjetit të dyshuar, i cili sipas autoriteteve përfshinte organizimin e mbrëmjeve në klubet ekskluzive të qytetit, rekrutimin e vajzave, udhëtimet e tyre dhe takimet e mundshme në hotele.

Sipas prokurorisë italiane, të ashtuquajturat “paketa VIP” mund të kenë përfshirë darka, festa në diskoteka dhe, për disa klientë, edhe përdorimin e substancave të palejuara si oksidi i azotit, i njohur si “gazi qesharak”.

Vlen të theksohet se hetimet janë ende në zhvillim dhe akuzat e ngritura ndaj Bastonit mbeten në fazën e verifikimit nga autoritetet.