Hetimet për aksidentin tragjik në autostradën Tiranë–Durrës, ku humbi jetën drejtuesi i autobusit Redion Hasimi dhe u plagosën 12 persona, janë fokusuar te dyshimi se 36-vjeçari mund të ketë pësuar arrest kardiak gjatë drejtimit të mjetit.
Sipas të dhënave paraprake, autobusi nuk ka lënë gjurmë frenimi dhe drejtuesi nuk ka kryer asnjë manovër për të shmangur përplasjen. Verifikimet e Policisë Rrugore tregojnë se mjeti po lëvizte brenda kufirit të lejuar të shpejtësisë dhe se shoferi nuk kishte precedentë apo shkelje të rregullave të qarkullimit.
Shkaku i saktë i aksidentit do të përcaktohet nga ekspertiza mjekoligjore.
Ndërkohë, Spitali i Traumës njoftoi se pesë nga të plagosurit janë larguar pas trajtimit, ndërsa një tjetër pritet të dalë së shpejti. Në Reanimacion vijojnë të trajtohen një fëmijë 8-vjeçar, në gjendje stabël, dhe një 56-vjeçare me nënshtetësi çeke.
