
Vala e të nxehtit që ka përfshirë Italinë nuk po i pengon turistët të vizitojnë një nga atraksionet më të famshme në botë. Edhe pse temperaturat po i afrohen 40 gradë Celsius, mijëra vizitorë vazhdojnë të rreshtohen çdo ditë për të hyrë në Koloseun e Romës.
Pamjet nga kryeqyteti italian tregojnë ekipe të Mbrojtjes Civile që spërkasin me ujë turistët ndërsa presin në radhë, ndërsa vullnetarët shpërndajnë shishe me ujë për t’i ndihmuar të përballojnë vapën përvëluese.
Shumë prej vizitorëve ndalojnë për disa minuta për t’u freskuar përpara se të vazhdojnë turin në monumentin historik, ndërsa fluksi i turistëve mbetet i lartë gjatë gjithë ditës.
Ndërkohë, vala e të nxehtit vijon të shkaktojë pasoja në Itali. Sipas të dhënave të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, pesë persona kanë humbur jetën gjatë 24 orëve të fundit si pasojë e temperaturave ekstreme.
Të martën, 25 qytete italiane u vendosën në nivelin maksimal të alarmit për vapën, ndërsa autoritetet kanë paralajmëruar ndryshim të motit në ditët në vijim. Reshje të dendura shiu, të shoqëruara në disa zona edhe me breshër, pritet të prekin fillimisht veriun e Italisë dhe më pas edhe rajonet qendrore.
Për të ndihmuar qytetarët dhe turistët të përballojnë temperaturat e larta, disa bashki kanë hapur falas muzetë, palestrat dhe qendrat kulturore, duke i kthyer ato në hapësira të freskëta ku njerëzit mund të strehohen gjatë orëve më të nxehta të ditës.
Mediat italiane raportojnë gjithashtu se është kërkuar ndërhyrje urgjente për përmirësimin e kushteve në disa kopshte publike, pasi mungesa e sistemeve të ajrit të kondicionuar ka bërë që temperaturat në ambientet e brendshme të kalojnë 36 gradë Celsius.
