KreuBusull

Sofokli Cali renditet mes 100 figurave më me ndikim në botën e bareve, një tjetër sukses për “Nouvelle Vague”

Sofokli Cali renditet mes 100 figurave më me ndikim në botën e
Një tjetër arritje ndërkombëtare vjen për industrinë shqiptare të mikpritjes. Sofokli Cali është përfshirë në listën prestigjioze “Bar World 100”, të realizuar në bashkëpunim me Drinks International, duke u renditur në vendin e 81-të mes 100 figurave më me ndikim në botën e bareve dhe koktejeve.

Në prezantimin e tij, Cali vlerësohet si një nga promotorët kryesorë të skenës shqiptare të koktejeve, bashkëthemelues i barit “Nouvelle Vague” në Tiranë dhe organizator i Tirana Cocktail Fest, festivalit që sjell në kryeqytet disa nga emrat më të njohur të industrisë globale të miksologjisë.

Vetë Sofokli Cali e ndau lajmin në rrjetet sociale, ku shprehu emocionet për këtë vlerësim.

“Jam pafundësisht mirënjohës, i lumtur dhe i përulur që jam pjesë e kësaj liste prestigjioze. Nuk e prisja dhe as nuk guxoja ta imagjinoja. Faleminderit të gjithëve që besuan se e meritoja të isha mes gjigantëve të industrisë,” shkroi ai, duke theksuar se ky sukses është rezultat i punës së ekipit dhe familjes së tij.

Ky vlerësim është një tjetër sukses edhe për “Nouvelle Vague”, koktej barin e vendosur në zemër të Bllokut, i cili prej vitit 2012 është kthyer në një nga destinacionet më të njohura të jetës së natës në Tiranë. Bari është vlerësuar edhe më herët në arenën ndërkombëtare, duke u renditur në vitin 2023 mes 50 bareve më të mira në botë, falë konceptit inovativ dhe koktejeve autentike që ndërthurin produkte tradicionale shqiptare me teknika moderne të miksologjisë.

Me këtë arritje të re, Sofokli Cali dhe “Nouvelle Vague” vazhdojnë të forcojnë pozicionin e Shqipërisë në hartën botërore të industrisë së bareve dhe mikpritjes.