KreuStil Jetese

Mbretëresha me emrin “Koreja e Jugut” dhe kurora e saj, Seuli!

 

Koreja e Jugut është një vend që me sa kam kuptuar e dëgjuar, konsiderohet ëndërr për t’u parë e shkelur nga shumë njerëz. Është ai vendi i këndshëm ku e lashta takohet me modernen në mënyrë aq të natyrshme, sa njeriu mbetet shpesh i mahnitur. Të udhëtosh në këtë vend është si të ecësh mes dy botëve: njëra e mbështetur mbi traditat e lashta dhe pallatet e mbretërve Joseon apo tempujt budistë, e tjetra e përshkruar nga ritmi i pandalshëm i teknologjisë, gradaçielave dhe kulturës pop që ka pushtuar botën. 

Dhe pikërisht zemra këtij kontrasti është Seuli, metropoli me më shumë se dhjetë milionë banorë, që kurrë nuk hesht. Qyteti është një univers më vete: me lagje që nuk flenë, me tregje të mbushura me ushqime, çikërrima, erëza e produkte kozmetike, siç janë ato në Namdaemun apo Gwangjang, ku rrugicat të joshin në ngasje me aromën e këndshme të “tteokbokki”, “Kimchi” apo “hotteok”, bukëzat me vezë apo akulloret Mochi të mrekullueshme që, ta dini sa për kuriozitet: kaq të mira vetëm këtu i gjen! Një sekret: ushqimi më autentik shpesh gjendet jo në restorantet luksoze, por pikërisht në këto rrugicat me tregjet tradicionale veçanërisht të Gwangjang Market. Sepse Korea e Jugut është një parajsë për ushqimin e pasur në shije, ngjyra dhe mënyra servirjeje. 

 

Seuli nuk është vetëm kaq: Në zemër të qytetit ndodhet Pallati Gyeongbokgung, një monument i madhështisë së dikurshme mbretërore, ku ceremonia e ndërrimit të rojeve, vizita në pallat dhe veshja me kostumet tradicionale “hanbok” janë argëtimi më i këndshëm që ta zbukurojnë vizitën dhe e kthejnë atë në të paharrueshme. 

Një tjetër pjesë e Seulit është ajo moderne: ndërtesat e larta shumëkatëshe e me arkitekturë të veçantë, të Gangnam-it, një distrikt i njohur për luksin dhe energjinë e tij, por edhe për të famshmen këngë që u bë hit, “Gangnam Style” dhe që e bëri atë të njohur kudo. Lagje si Yongsan ofrojnë gjithçka për dashamirësit e teknologjisë: nga pajisjet më të fundit deri te realiteti virtual. Ndërkohë, lumi Han, që përshkon qytetin, mbetet vendi ku vendasit dhe turistët gjejnë çaste relaksi, shëtitje me biçikletë apo piknikë nën dritën e hënës që i kanë shumë për zemër dhe i praktikojnë shpesh.  

Qendrat tregtare në Seul nuk janë thjesht vende për të bërë ‘shopping’. Ato janë koncepte të plota argëtimi dhe kulture. 

 

Aty mund të gjesh edhe: Bibliotekë, siç është “Starfield Library” në COEX Mall, që jo vetëm ka me mijëra libra, por edhe një hapësirë gjigante për lexuesit dhe admiruesit e librave, (shumë e rekomandueshme për t’u vizituar). Akuariume, siç është ai në COEX, i cili konsiderohet ndër më të mëdhenjtë në Azi.  Qendrat e mëdha tregtare përmbajnë gjithashtu kinema, teatro moderne, hapësira arti,  muzeume, ekspozita, galeri, instalacione, etj. Por edhe observator apo parqe të brendshme dhe hapësira lojërash jashtëzakonisht të mëdha e të famshme për fëmijët, siç është në Lotte World Mall, (gjithashtu kjo qendër është shumë e rekomandueshme për t’u shënuar në vendet që duhen vizituar). Qendrat tregtare janë të ndërlidhura me njëra-tjetrën jo vetëm në katet lart, ku njeriu kalon sa në njërën-tjetër qendër pa e kuptuar, por edhe poshtë, nëntokë me anë të rrjetit të stacioneve të metrove.  

Udhëtimi në Korenë e Jugut është një eksperiencë unike e pakrahasueshme me shumë vende të tjera.  

Ata kanë ca modele të pamjes dhe standarde bukurie e paraqitjeje të jashtme sa asnjë vend tjetër nuk i ka. Aq sa, kur bëhet vajza 18 vjeçe apo diplomohet, prindërit nuk i dhurojnë orë Rolex siç bëjnë në vendet e Evropës, por një ndërhyrje bukurie në një klinikë estetike. Por aty kurohen edhe meshkujt pa dallim. Në Korenë e Jugut kujdesen shumë edhe për peshën, veshjen, pastërtinë.  

Më së shumti dy ngjyra përdorin në veshjet e tyre, tepër interesante me detaje që bëjnë diferencën: e zeza, e bardha dhe kombinimi i tyre. M’u desh t’i bëja terapi vetes si për arsenalin e ngjyrave që kisha marrë në valixhe, ashtu edhe “standardet e bukurisë” të paplotësuara të miat. 

Gjithsesi, Koreja e Jugut është shembull i një shoqërie që ka ditur të ngrihet nga rrënojat e luftës dhe të bëhet një fuqi ekonomike e kulturore globale. Energjia e saj, ritmi dhe dinamizmi ndihen në çdo hap. 

Për këtë arsye, si edhe për të gjitha eksperiencat e pakrahasueshme me asnjë vend të botës, e bën Korenë e Jugut një nga destinacionet më të kërkuara në botë nga çdo udhëtar.  

Eda Bano, shtator 2025.