Me shije delikate dhe tulin e butë, kungulleshkat mund të gatuhen në mënyra të panumërta. Nga sallatat te pastat, të pjekura, pica apo kek, deri te lazanjat e rizotot, në çfarëdo forme, kungulleshkat kanë një shije të lehtë dhe tipike verore. Në sallata mund t’i konsumoni edhe të gjalla me të gjitha llojet e erëzave, ose të pjekura në skarë nëse fëmijët tuaj nuk i pëlqejnë. Mund të përshtaten me çdo lloj perimesh e frutash, me djathë dhe salca të tjera. Përveçse janë një pjatë ekonomike dhe e shpejtë, sekreti i një pjate të suksesshme me bazë kungulleshkat është të ruani shijen dhe ngjyrën e tyre natyrale, madje edhe kur i piqni në furrë.
Përbërësit:
2 kungulleshka të vogla,
200 g djathë halloumi,
1 limon,
1 lugë vaj ulliri,
1 lugë çaji piper i kuq,
1/2 lugë çaji qimnon të bluar, trumzë të freskët.
Për salcën:
120 g kos,
1 lugë tahini,
lëngu i 1/2 limoni,
1 lugë vaj ulliri,
1 thelb hudhër
Përgatitja:
Lani kungulleshkat dhe më pas pritini në kube. Edhe djathin priteni në kube të ngjashme. Priteni limonin në feta të vogla.
Në një tas, përzieni vajin e ullirit, piperin e kuq, qimnonin, kripën dhe piperin. Shtoni aty kungulleshkat dhe përziejini në mënyrë që të aromatizohen. Më pas kalojini kungulleshkat, djathin dhe fetat e limonit në shkopinj të hollë. Spërkatini me trumzë dhe vendosini të piqen në skarë të nxehtë rreth 10 minuta, duke i kthyer rregullisht derisa djathi halloumi të marrë ngjyrë të artë dhe kungulleshka të jetë e butë.
Në një tas, hidhni kosin, tahinin, lëngun e limonit, vajin e ullirit, hudhrën e grirë, kripë, piper dhe përziejini derisa të krijohet një masë homogjene. Shërbejini shishqebapin e ngrohtë bashkë me salcën.
