
Një nga gatimet më ikonike të kuzhinës shqiptare do të jetë në qendër të vëmendjes më 15 korrik, kur në sheshin “Gensher” do të zhvillohet Festivali Autokton “Festa e Tavës së Elbasanit”, një aktivitet që synon të promovojë traditën, trashëgiminë kulinare dhe turizmin lokal.
Festivali do të nisë në orën 10:00 me çeljen zyrtare, regjistrimin e konkurrentëve, aktivitete për fëmijë dhe një program artistik nga Cirku Kombëtar.
Në mbrëmje, nga ora 19:00 deri në 22:00, vizitorët do të kenë mundësi të shijojnë një program të pasur me ekspozitë fotografike kushtuar traditës, degustim të Tavës së Elbasanit, si dhe një podcast kulinar me pjesëmarrjen e chef-ave të njohur Sokol Prenga,Naim Bashmili, Fundim Gjepali, Bledar Kola dhe Senad Perfati.

Aktiviteti do të sjellë së bashku chef-a të njohur, amvisa, amatorë, turistë dhe të gjithë të apasionuarit pas gastronomisë shqiptare, të cilët do të ndajnë eksperiencat e tyre dhe do të promovojnë një nga pjatat më të njohura të vendit.

Programi përfshin gjithashtu një performancë nga Brikel Guga, koncert nga Ansambli i Këngëve dhe Valleve “Isuf Myzyri”, pjesëmarrjen speciale të Manjola Nallbanit, ndarjen e certifikatave për pjesëmarrësit dhe një festë përmbyllëse.

Organizatorët e cilësojnë festivalin si një mbrëmje të dedikuar traditës dhe trashëgimisë shqiptare, duke ftuar qytetarët dhe vizitorët të bëhen pjesë e një feste që bashkon shijet autentike me historinë e Tavës së Elbasanit.





