Nga Brunilda Gorovelli
Në këtë numër të muajit mars, “Bordo” ndalet te disa profile zonjash shqiptare të suksesshme në fushat e tyre profesionale e, pa diskutim, të suksesshme edhe në jetë. Politika, media, shoqëria civile, muzika, arti, familja, të gjitha janë të lidhura drejtpërdrejt me jetët tona dhe me mënyrën si ne zgjedhim të kontribuojmë në shoqëri. Një nga këto figura është Valentina Leskaj, një grua që ka kaluar nga aktivizimi qytetar në politikën e lartë, për të vijuar sot angazhimin përtej posteve. Rrugëtimi i saj është dëshmi se suksesi nuk matet vetëm me tituj, por me ndikimin, integritetin dhe gjurmën që lë në jetën publike dhe atë personale.
Znj. Valentina si e përjeton politikën e sotme nga vendi ku ju para 8 vitesh e pozicionuat veten?
Edhe pse distante nga politika e ditës, një njeri që ka qenë për shumë vite brenda saj, mbetet një qenie politike çka do të thotë se e ndjek politikën. Unë kam qenë e angazhuar për një pjesë të mirë të jetës sime në shoqërinë civile e pastaj në politikë dhe nuk mund të jem indiferente ndaj asaj që ndodh në vendin tim e përtej tij.
Edhe pse jeni larguar nga politika aktive si vazhdon sot kontributi juaj?
Politika nuk është e kufizuar brenda gardhit të partive politike, ajo shkon përtej. Njeriu e gjen mënyrën për të kontribuar qoftë me një aktivitet, me një reagim publik, me një botim, apo angazhim tjetër etj. Vaclav Havel thoshte se “Edhe një koncert i muzikës rok është politikë” dhe ka të drejtë. A nuk ishte dhe rasti i Woodstock-ut në vitet ’60, që pati ndikimin më të madh në të drejtat civile? Po le të kthehemi te një shembull konkret nga vendi ynë. Çfarë ishte rasti i protestës së shoqërisë civile kundër sjelljes së armëve kimike në Shqipëri? A është ky një model i forcës së ndikimit të vendimmarrjes së politikës nga shoqëria civile? Pa dyshim që po, sa kohë që qeveria vendosi të ndryshonte qëndrim dhe armët kimike nuk erdhën në Shqipëri.

Një ftesë për të qenë pjesë e politikës teksa ju ishit në Paris. Nëse ktheheni pas në kohë, çfarë e motivoi hyrjen tuaj në politikë pas viteve '90?
Siç e kam thënë edhe më parë nuk ka qenë vendim i lehtë. Nëse politikën e merr si përgjegjësi natyrisht që duhet ta mendosh mirë. Po arsyet kanë qenë më shumë se një, kisha punuar për përfshirjen e grave në politikë dhe është e vështirë t’u kërkosh të tjerave ta bëjnë dhe të thuash unë jo. Kjo është çështje morale. Me organizatën që drejtoja kemi folur jo vetëm me fjalë e kritika ndaj partive, për gratë në politikë, po dhe me nisma konkrete. Me nismën time kemi ngritur të parën akademi politike për gratë dhe vajzat në Shqipëri, një pjesë e të cilave kanë konkurruar dhe janë zgjedhur në këshilla bashkiake deri dhe kryetare bashkie apo deputete. Ka patur edhe motivues të tjerë që më kanë nxitur të pranoj propozimin e PS-së. Mike të mijat nga lëvizja e gruas dhe përgjithësisht nga shoqëria civile që e kanë parë si një moment të përfshirjes dhe hapjes së politikës ndaj shoqërisë civile, më kanë motivuar që ta pranoja pozicionin e ministres së Punës e Çështjeve Sociale.
Cila pyetje nuk mori përgjigje që vendosët të largoheshit nga politika e ditës?
Arsyeja e tërheqjes nuk është vetëm një dhe padyshim që nuk lidhet me pyetje apo dilema personale. Ka qenë një vendim i ftohtë i menduar me kohë. Në fakt afërsisht një vit përpara se të largohesha kam folur në një emision me Xhaxhiun për largimin, po pa dyshim kam vazhduar përgjegjësitë deri ditët e fundit, madje duke kërkuar mbështetjen edhe për kandidatët për deputetë që do të më zëvendësonin. Arsyen e kam bërë të qartë në një deklaratë për shtyp ku kam thënë se kam vendosur të mos rikandidoj, për t’u hapur rrugë të rinjve në politikë, do të preferoja të më zëvendësonte një e re, mendoj se duhet t’u hapet rruga të rinjve, elitat duhet të rotohen. Ndërkohë kam thënë se kam vendosur të bëj një distancë të shëndetshme nga politika e ditës (besoj këtu merr përgjigje dhe pyetja juaj për dilemat) dhe mbetem njeri i angazhuar sepse politika për mua ka qenë angazhim jo vend pune. Besoj fort se njeri të angazhuar nuk të bën karrigia.
Si e vlerësoni rolin e grave në politikën shqiptare?
Në fakt rolet nuk i shoh të ndara sipas gjinisë. Një njeri mund të jetë i suksesshëm ose jo pavarësisht nga gjinia. Aq më pak e shoh rolin e gruas në politikë si çështje numrash, problemin nuk e zgjidhin numrat, të cilat nuk do të kishin vlerë pa meritokracinë e cila të çon te cilësia. Ne kemi luftuar bashkë (pozitë-opozitë), për të bërë kuotën gjinore në parlament, në kohën që gratë përbënin vetëm 6,7 (vitet 2005-2009). E bëmë sepse përfaqësimi është e drejtë njerëzore, gratë ishin të nënpërfaqësuara dhe nga ana tjetër nga kjo nuk humbasin vetëm gratë, por e gjithë shoqëria. Ndërkohë kuota është për të dyja gjinitë, nëse nesër do të kemi më pak burra në politikë, kjo gjithashtu do të bënte problem për shoqërinë. Po pa dyshim që roli i grave është kyç për zhvillim të qëndrueshëm të një vendi. Kur ka pabarazi ajo kthehet në një problem jo vetëm për gratë, por për të gjithë shoqërinë dhe për vetë zhvillimin e vendit. Jo rastësisht ka një lidhje reciproke mes fuqizimit të grave dhe nivelit të demokracisë dhe zhvillimit të një vendi. Të gjithë e dimë se vendet me nivel më të lartë përfaqësimi e respektimi të të drejtave njerëzore kanë një ekuilibër më të mirë gjinor e janë vende me standarde të larta demokracie dhe zhvillimi ekonomik e social.
A bën gabime përsëritëse politika shqiptare? Nëse po, cilat gabime përsërit?
Po dhe janë shumë. Një nga gjërat që përsëritet reflektohet te qasja kundër, kundër tjetrit, atij që ke përballë, çka ka bërë që qasja në politikë vijon të jetë jo alternative. Shpesh edhe retorika dhe aksioni politik janë në të njëjtën formë, po ajo gjuhë urrejtjeje,, po ato protesta, e njëjta paaftësi për të ngritur një dialog politik për interesa afatgjata të vendit. Ku është oferta? Qasja politike nuk dominohet nga oferta po nga qasja kundër tjetrit.

Ju ka zhgënjyer politika?
Nuk e shoh bardhë e zi. Zhvillimet politike kanë dritëhijet e tyre me arritje dhe dështime. Shqipëria ka njohur zhvillime në shumë fusha, sidomos vitet e fundit dhe kjo pa dyshim edhe falë politikës po analiza është komplekse dhe do të donte një intervistë më vete nëse do t’i listoja.
Presidente në Forumin e OJF-së shqiptare, aktive në disa organizata ndërkombëtare, që lidhen me UNESCO-n apo OKB-në, CEI-n, zëvendëspresidente e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, reportere e Këshillit të Europës për Moldavinë dhe së fundmi anëtare në Bordin Këshillëdhënës të Lëvizjes Kundër AntiSemitizmit (CAM). Çdo të thotë për një grua shqiptare të jetë pjesë e lëvizjeve ndërkombëtare?
Është eksperiencë e vyer, përgjegjësi po natyrisht edhe një vlerësim, sidomos ishte në vitet e para, kur vendi ynë nuk njihej mirë ose kishte imazhin e valëve migratore të njerëzve që rrëmbenin anijet për të ikur. E kam hasur shpesh këtë, po gjërat kanë ndryshuar. Sot shqiptarët ndihen të barabartë si kontributorë kudo që të jenë në çdo institucion në çdo cep të globit.
Cili ka qenë momenti më i vështirë në jetën tuaj personale?
Humbja e bashkëshortit.
Çfarë kujtoni thuajse çdo ditë të tijën sot?
Kujtoj çdo gjë, deri tek ajo rutina e përditshme në një familje që funksionon, në një marrëdhënie dashurie e respekti. Ne ishim studentë kur u martuam dhe shumë të rinj, në një farë mënyre u rritëm e u formuam bashkë. Morëm shumë nga njëri-tjetri. Një nga ritualet ishte çaji që e pinim pasdite në orën 18:00, ritual që ishte i përditshëm sidomos kur unë ika nga politika, më përpara rrallë ndodhte të isha në shtëpi në atë orë.
Çfarë ju bën sot realisht të lumtur, larg protokollit dhe politikës?
Koha që kaloj me fëmijët, nipërit dhe mbesën e tani jam bërë edhe me një mbesë të vogël nga vajza e tim biri. Më shijon sidomos e diela që mbidhemi gjithë familja për drekë, se java është e ngarkuar për të gjithë, gjithsesi edhe gjatë javës e gjej mundësinë. Dashuria e familjes ma ka ndryshuar komplet cilësinë e jetës, përpiqem të kompensoj atë që kam humbur kur isha në politikë, që çdo fundjavë isha në zonën elektorale për të takuar njerëzit. Ndërkohë nuk jam e larguar prej aktivitetit, jam e ngarkuar edhe pse të një lloji tjetër, që nuk burojnë nga pozicioni politik, një pjesë e angazhimeve janë qysh prej vitit 1993, po edhe të pas largimit nga politika. Vazhdoj me pjesën e marrëdhënieve dhe aktivitete ndërkombëtare ku jam e zgjedhur, një pjesë ju i keni përmendur më lart, por edhe angazhime të tjera.

