Dita e Verës është një festë shumë e vjetër shqiptare që festohet çdo vit më 14 mars. Ajo lidhet me ardhjen e stinës së ngrohtë dhe me ringjalljen e natyrës, kur bimët dhe gjelbërimi fillojnë të marrin jetë pas dimrit. Kjo festë shpreh gëzimin për natyrën dhe për fillimin e një periudhe të re plot dritë dhe gjallëri.
Një nga elementet më karakteristike të kësaj dite është përgatitja e ballokumeve, një ëmbëlsirë tradicionale e qytetit të Elbasanit. Ballokumet janë bërë simbol i kësaj feste dhe receta e tyre ruhet me kujdes nga familjet elbasanase ndër breza. Në disa zona, përveç gatimit të ëmbëlsirave, ndiznin edhe zjarre në oborre apo kopshte, të cilat simbolizonin pastrimin dhe fuqizimin e diellit.
Edhe pse sot festohet në të gjithë Shqipërinë, kjo festë vazhdon të ketë një rëndësi të veçantë në Elbasan, ku traditat ruhen me shumë përkushtim. Sipas zakonit, më 13 mars njerëzit marrin një tufë bari të njomë së bashku me rrënjët dhe e vendosin në shtëpi që ta kenë mëngjesin e 14 marsit si shenjë të gjallërisë dhe begatisë që sjell pranvera.
Në kohët e lashta, Dita e Verës konsiderohej edhe si fillimi i vitit të ri sipas kalendarit të vjetër shqiptar. Ajo përkonte me 1 marsin e kalendarit Julian, që sipas kalendarit Gregorian bie më 14 mars. Kjo tregon se festa është shumë më e vjetër se periudha e krishterimit dhe festohej nga shqiptarët në të gjitha trevat, si në veri ashtu edhe në jug, edhe pse me disa ndryshime në zakone.
Një tjetër simbol i kësaj feste është verorja, një byzylyk i thjeshtë i bërë me fije të kuqe dhe të bardha që lidhet në kyçin e dorës. Sipas traditës, ajo mbahet deri në momentin kur shfaqet dallëndyshja e parë, që është shenjë e ardhjes së pranverës. Në disa zona, verorja hiqet dhe vendoset në degët e pemëve, që dallëndyshet ta marrin dhe të sjellin fat e mbarësi.
Sipas një legjende të vjetër, origjina e kësaj feste lidhet me një tempull të Zanës së Malit, i cili ndodhej pranë lumit Shkumbin në Elbasan. Zana konsiderohej si hyjnia e pyjeve, e gjuetisë dhe e natyrës. Thuhet se ajo shfaqej vetëm më 14 mars, datë që në atë kohë shënonte fillimin e verës, pasi njerëzit njihnin vetëm dy stinë: dimrin dhe verën.
Kjo traditë është përcjellë brez pas brezi dhe sot Dita e Verës është një festë që përfaqëson kulturën, historinë dhe identitetin shqiptar. Edhe pse dikur festohej kryesisht në Elbasan, sot ajo është shndërruar në një festë kombëtare që bashkon shqiptarët kudo.
