
Këngëtarja Samanta Karavella ka ndarë një rrëfim shumë personal dhe emocional gjatë intervistës së saj në emisionin “Mirëmbrëma Yje”, të moderuar nga Arbana Osmani, ku foli hapur për përvojën e saj pas ardhjes në jetë të fëmijës së parë.
Artistja tregoi se momenti kur u bë nënë i ndryshoi jetën rrënjësisht dhe se transformimi që përjetoi ndodhi brenda një kohe shumë të shkurtër. Sipas saj, realiteti i mëmësisë rezultoi shumë më i vështirë nga sa e kishte imagjinuar, sidomos për shkak të periudhës së vështirë emocionale postpartum.
Karavella rrëfeu se në fillim ndihej e humbur dhe pa sens të kohës, ndërsa përpiqej të përshtatej me rolin e ri si nënë. Ajo theksoi se lindja e fëmijës ndikoi thellësisht jo vetëm në jetën e saj personale, por edhe në atë profesionale si artiste.
“Jeta ime ndryshoi brenda 24 orëve. Nuk e dija çfarë më priste. Kisha dëgjuar që mëmësia të ndryshon jetën, por nuk e kupton vërtet derisa e përjeton vetë. Në atë moment ndihesha sikur nuk kisha më sensin e kohës dhe po përpiqesha të kuptoja se si do t’ia dilja mbanë,” u shpreh ajo.
Këngëtarja pranoi se periudha postpartum ishte një nga sfidat më të mëdha që ka kaluar ndonjëherë në jetën e saj. Sipas saj, shpeshherë ndjente se kjo gjendje ishte më e fortë se ajo, por përpiqej vazhdimisht të motivonte veten dhe të gjente forcë për të ecur përpara.
Ajo theksoi se përvoja e mëmësisë e ka bërë të shohë ndryshe edhe sfidat e tjera të jetës, duke pranuar se shumë prej gjërave për të cilat shqetësohej më parë tani i duken shumë më të vogla.
