
Aktori dhe shkrimtari britanik Stephen Hibbert, i njohur për rolin e tij si The Gimp në filmin kult “Pulp Fiction”, është ndarë nga jeta në moshën 68-vjeçare.
Sipas raportimeve të TMZ, ai ka vdekur nga një atak në zemër të hënën në Denver, Colorado.
Në një deklaratë për mediat, fëmijët e tij — Greg, Ronnie dhe Rosalind — shprehën dhimbjen për humbjen e të atit:
“Babai ynë, Stephen Hibbert, u nda nga jeta papritur këtë javë. Jeta e tij ishte e mbushur me dashuri dhe përkushtim ndaj familjes dhe artit. Do t’i mungojë shumë të gjithëve që e njohën.”
Hibbert u bë i njohur për interpretimin e The Gimp në filmin e vitit 1994 “Pulp Fiction”, me regji të Quentin Tarantino dhe me protagonistë John Travolta, Samuel L. Jackson dhe Uma Thurman. Personazhi i tij, i mbuluar me një kostum lëkure dhe pa asnjë dialog, u bë pjesë e një prej skenave më të paharrueshme të filmit, ku shfaqej edhe personazhi i luajtur nga Bruce Willis.
I lindur në Fleetwood, Angli, Hibbert ndërtoi një karrierë edhe si shkrimtar televiziv gjatë viteve ’90, duke kontribuar në disa programe të njohura si “Late Night with David Letterman”, “MADtv” dhe “Boy Meets World”.
Në një intervistë të dhënë në vitin 2024, ai tregoi se ishte njohur me Quentin Tarantino në teatrin e improvizimit The Groundlings Theatre. Aktori rrëfente me humor se rolin në Pulp Fiction e fitoi pa folur asnjë fjalë gjatë audicionit.
“Quentin dhe unë improvizuam një skenë ‘zot dhe skllav’ përpara drejtorit të kastit. Ai më jepte urdhra nëpër zyrë dhe unë përulesha. Dukej sikur gjithë jeta ime e punës më kishte përgatitur për një audicion të tillë”, kujtonte ai.
Pas publikimit të filmit, Hibbert tregonte se kishte marrë dhjetëra telefonata nga njerëz që donin ta takonin, pasi performanca e tij kishte lënë një përshtypje të fortë te publiku.
