Nuk është aspak ai modaliteti i nënës që e mban të lidhur pas familjes, por fakti që ajo ka arritur sot në një fazë të karrierës kur duhet të zgjedhë një rol jo se i pëlqen, por sepse nuk i ngjan asaj. Natalie Portman, e njohur për brishtësinë dhe ngrohtësinë e jashtëzakonshme, sjell profilin jo vetëm të një aktoreje me përvojë, por edhe të një nëneje me dy fëmijë. Në moshën 44-vjeçare, Portman u divorcua nga burri i saj, dy vite më parë, pa ndaluar për asnjë çast punën në sheshxhirime. Ajo sapo përfundoi xhirimet e filmit “The Gallerist” i cili pritet të shfaqet sivjet në kinema, e duket se ky rikthim ndezi një luftë ofertash për projektet e ardhshme. Ylli i filmit “Black Swan” zbulon sesi ka arritur të ruajë jetën private, duke mbajtur median larg fëmijëve të saj. E diplomuar në Universitetin e Harvardit për Psikologji në 2003 dhe njohëse e 6 gjuhëve: anglisht, hebraisht, frëngjisht, gjermanisht, japonisht dhe arabisht, duket se asgjë nuk i ka zbehur dëshirën për të luajtur në film.
Sa e vlerëson bukurinë?
Që në moshë të re, isha e vetëdijshme për rreziqet e përqendrimit të tepërt te bukuria, sepse vija nga një sfond socialist me bindjen se çdo gjë fizike ishte sipërfaqësore. Ishte një pikëpamje shumë e shëndetshme për t’u pasur – një lloj antidoti për të jetuar në një botë ku i vihej kaq shumë rëndësi pamjes së jashtme. Por kur u bëra nënë, fillova ta vlerësoja si një mënyrë për të përkëdhelur veten, për t'u ndjerë mirë dhe joshëse.
Cili ka qenë transformimi juaj më i madh në film?
Një nga transformimet e mia më të njohura është në “Star Wars” si Mbretëresha e Madalës. Rruajtja e kokës për Vendetta ishte kaq çlirues. Ndërkohë,“Black Swan” ishte një transformim më i madh fizik, mjaft ekstrem për sa i përket arritjes në një pikë ku isha e fortë për të luajtur një balerinë.
Cili është sekreti juaj i bukurisë?
Kur bëhet fjalë për kujdesin e lëkurës, jam mjaft e thjeshtë. Së fundmi fillova të përdor produktet për të larë dhe hidratuar lëkurën. Zakonisht përdor vetëm sapun për fytyrën dhe krem hidratues. Bëj masazhe një herë në muaj dhe jam vegane prej 15 vjetësh.
Kur zgjedh një film i jep më shumë rëndësi personazhit apo skenarit?
Ka gjëra që vijnë në momente të caktuara të jetës tënde dhe unë mësova nga aktoret më të mira se është e rëndësishme të shkosh me gëzim në sheshxhirim, sepse nëse çdo gjë e bën me dëshirë, edhe skenarët që nuk të pëlqejnë të bëjnë t'i duash, po ashtu edhe personazhin.
A ndodh që rolet dhe jeta jote personale ndikojnë në një moment?
Nuk funksionon gjithmonë, por ka raste kur ajo që ndodh në jetën time personale, ngjan si pjesë e një roli në film, sidomos kur bëhet fjalë për materiale të vështira emocionalisht. Kur luaj një personazh, padashje huazon një zë, gjeste, mënyrën e ecjes apo një theks, që të ngatërrohen pastaj me jetën reale dhe është e vështirë t’i heqësh qafe. Të kesh një pamje të ndryshme për një rol është e dobishme për të hyrë dhe dalë nga një personazh, kur je në gjendje të kthehesh te vetja. Është e rrezikshme të dukesh shumë si personazhi yt.
A ka diçka në jetën tuaj tani që të bën të entuziazmohesh?
Fëmijët e mi janë gjithmonë një burim emocionesh, sepse i shoh të zhvillohen çdo ditë. Gjithashtu, po kaloj së fundmi shumë kohë me miqtë e mi dhe familjet e tyre dhe kjo është mjaft argëtuese.
Çfarë i thua fëmijëve të tu, që prindërit nuk ta kanë thënë?
Edhe pse prindërit e mi gjithmonë më mbanin me këmbë në tokë, ata nuk m’i thonin të gjitha. Unë flas për gjithçka me fëmijët e mi, sepse askush nuk do ta thoshte të vërtetën përveç prindit. Miqtë janë gjithmonë të sjellshëm me ty, por nuk të thonë gjithçka. Shpesh duhet t’i themi fëmijëve edhe "Nuk është mirë kur e bën këtë”, për të kuptuar se si mund të jesh një person më i mirë.
Si arrin të jesh gjithmonë kaq pozitive dhe plot energji në sheshxhirim?
Sepse besoj që talenti nuk është gjithçka, thjesht duhet të jemi pak më shumë pozitivë, shumë të sjellshëm dhe të zgjuar, pasi kur xhirohet të gjithë nuk punojnë për ty, por për një projekt të përbashkët. Nuk mund të thuash kurrë “Unë jam më i veçantë", por ne jemi më të mirët.
Pse gjithmonë vendos një filtër mbrojtës në raport me publikun?
Mendoj se publiku nuk ka pse të dijë si jam unë jashtë setit, por nga ana tjetër, kjo ka ardhur që kur isha më e re dhe papritur isha shumë e seksualizuar, gjë që u ndodh vajzave të reja që janë sot në ekran. Aty e ndjeva se mënyra ime për të mbrojtur veten ishte të isha shumë serioze. Mendova se nëse krijoj këtë imazh të vetes, do të lihem rehat nga media dhe funksionoi. Kur krijova familjen vendosa një barrierë për botën, një kusht për median dhe një premtim që ia bëra vetes: "Nuk do të bëj sete fotografike me fëmijët e mi".
Nëse nuk do të merreshe me filmin, si do ta mbushje një ditë të zakontë?
Jo çdo ditë e imja është në sheshxhirim, ndaj kur jam e lirë, merrem me bletari. Kam pasur mundësi të udhëtoj në vende interesante dhe të takoj njerëz ku nuk kam pse luaj rolin e yllit të kinemasë. Mendoj se ka shumë gjëra të bukura në jetë që të japin emocione dhe dashuri.
Si lidheni me personazhet tuaja?
Sinqerisht, gjithmonë e kam urryer këtë pyetje, sepse zakonisht jam më e interesuar të luaj dikë që është ndryshe nga unë. Sepse nëse është si unë, do të preferoja të jetoja jetën time.
Si e kuptove që do të bëheshe aktore?
U rrita në Long Island dhe meqenëse është afër Manhattanit, shumë fëmijë të moshës sime ishin në shkollën e vallëzimit me mua. Ata merrnin pjesë në audicione për reklama dhe për të fituar para për kolegjin. Kur u kërkova prindërve të mi nëse mundesha, ata nuk donin, derisa më lejuan por përmes një agjenti që të bëja audicion.
A mendoni se marrëdhënia juaj me ambicien ka evoluar dhe ndryshuar?
Po, sepse isha shumë ambicioze si fëmijë dhe padyshim do ta përshkruaja veten si ambicioze edhe tani, por kjo ka ndryshuar plotësisht. Si fëmijë, isha shumë e interesuar të kënaqja njerëzit e tjerë, ndërsa tani, më pëlqen shumë të vendos sfida të reja për veten time, të kem përvoja të reja dhe të kënaqem për veten time.
