Këngëtari i njohur Besart Kelmendi është lënë në paraburgim nga Gjykata Themelore në Prishtinë për një periudhë njëmujore, pas një incidenti të ndodhur së fundmi në zyrat e kompanisë “Onima”. Ai dyshohet për veprat penale të kanosjes, dëmtimit të pasurisë dhe mbajtjes pa leje të armës.
Gjatë seancës dëgjimore, Kelmendi ka shprehur pendesë për veprimet e tij, duke pranuar se ka reaguar në një moment dobësie:
“Jam në ankth, kam vepruar në gjendje të afektit. I kërkoj falje gjykatës, prokurorit si dhe palës së dëmtuar,” ka deklaruar artisti.
Avokati i tij, Artan Qerkini, ka kundërshtuar kërkesën e Prokurorisë për paraburgim, duke argumentuar se reagimi i Gjestit ishte impulsiv dhe i ndikuar nga vështirësitë financiare. Sipas mbrojtjes, këngëtari nuk ka pasur aktivitet performues kohët e fundit për arsye familjare dhe nuk ka përfituar të ardhura të rregullta nga kompania. Qerkini gjithashtu bëri të ditur se klienti i tij është i gatshëm të bashkëpunojë për pranimin e fajësisë.
Ngjarja ka ndodhur pas një mosmarrëveshjeje për një borxh të pashlyer. Dëshmitarët nga stafi i “Onima” kanë treguar se Kelmendi ka hyrë në objekt duke kërkuar drejtorin e kompanisë, E.Sh., dhe gjatë këtij episodi ka dëmtuar kompjuterë dhe xhama. Ai gjithashtu ka nxjerrë një armë dhe ka kërcënuar stafin me fjalët: “Ku është se kam me e vra”. Punonjësit kanë tentuar ta qetësojnë situatën, por kërcënimet dhe dëmtimet kanë vazhduar.
Pavarësisht argumenteve të mbrojtjes për masa më të lehta sigurie, gjykata ka vendosur se kërkesa e Prokurorisë është e arsyeshme. Paraburgimi do të zgjasë nga data 11 mars deri më 9 prill 2026, duke u bazuar në rrezikun e ikjes, mundësinë e ndikimit mbi dëshmitarët dhe rrezikun e përsëritjes së veprës penale.
