Gazetari nga Kosova, Labinot Nimani, ishte i ftuar ditën e djeshme në emisionin “Live From Tirana” me Ronaldo Sharkën, ku përmes një lidhjeje Skype diskutoi për arrestimin e këngëtarit Gjesti dhe situatën në zyrat e ish-bashkëpunëtorit të tij.
Nimani foli gjithashtu për ndikimin e pjesëmarrjes së Gjestit në “Big Brother VIP” në Shqipëri dhe si kjo ka ndryshuar popullaritetin e tij. Ai tha se përpara daljes nga reality show, Gjesti nuk ishte një emër i madh në skenën e koncerteve, megjithëse kishte qenë aktiv në estradë dhe kishte publikuar disa këngë.
“Me sa kemi parë, Gjesti e kuptoi që pas daljes nga ‘Big Brother’ popullariteti i tij rriti shumë. Nuk mund të them se u bë një superstar sepse emri i tij rrallë shfaqej në koncerte përpara ‘Big Brother’. Fama më e madhe i ka ardhur pas pjesëmarrjes në program,” tha Nimani.
Gazetari shtoi se pas suksesit në reality show, Gjesti ka filluar të shfrytëzojë mundësitë që i ofron fama, duke kërkuar të shkëpusë kontratën me menaxhmentin e tij të mëparshëm. Nimani theksoi se kjo nuk është hera e parë që një artist kërkon të marrë lirinë për të menaxhuar karrierën e tij.
“Pas daljes nga ‘Big Brother’, mendoj se i ka hipur pak vetja në qejf. Megjithatë, jam gjithmonë pro lirisë së një artisti që dëshiron të ketë kontroll mbi kontratat e tij,” përfundoi gazetari.

Ky koment vjen në një kohë kur publiku dhe mediat po ndjekin me vëmendje të gjitha zhvillimet rreth Gjestit dhe veprimeve të tij pas arrestimit.
