Modelja e njohur shqiptare Adrola Dushi ishte pjesë e panelit të emisionit Goca dhe Gra mbrëmjen e sotme, ku përveçse e ftuar speciale, mori edhe rolin e bashkëmoderatores.
Për shkak të mungesës së Sherina Spahiu, Adrola iu bashkua panelit për të moderuar emisionin, duke sjellë edhe disa rrëfime personale që tërhoqën vëmendjen e publikut.
Gjatë bisedës në studio, ajo foli edhe për marrëdhënien e saj me reperin e njohur Capital T, një lidhje që u bë publike vetëm pak kohë më parë, ndonëse sipas saj ka nisur prej vitesh.
Adrola tregoi se publikimi i marrëdhënies së tyre ndodhi në mënyrë spontane gjatë Valentine's Day, duke e përshkruar atë moment si një surprizë për të.
“Ky Shën Valentin ishte një surprizë për mua. Ne kemi disa vite bashkë dhe për ne ka qenë si një maratonë. Kur e dëshiron diçka shumë dhe lufton për të, jam e bindur që ia del. Edhe ne ia dolëm”, u shpreh ajo.
Modelja theksoi gjithashtu se ajo dhe partneri i saj kanë zgjedhur ta mbajnë lidhjen larg vëmendjes së tepërt mediatike, pasi për ta privatësia mbetet shumë e rëndësishme.
Ajo kujtoi edhe momentin kur u publikua fotografia që konfirmoi lidhjen e tyre. Sipas Adrolës, ajo ndodhej duke bërë pazar ndërsa ndodheshin në Shtetet e Bashkuara, kur këngëtari i tha se donte të postonte diçka në rrjetet sociale.
“Unë po blija rroba kur u publikua fotoja. Ishim në Amerikë dhe ai më tha të prisja pak sepse donte të postonte diçka. U emocionova shumë dhe më bëri shumë të lumtur. Kishim edhe dilema nëse duhej ta publikonim apo jo”, tregoi ajo.
Në fund, Adrola u shpreh se edhe pse preferon të ruajë jetën private, është e lumtur që lidhja e tyre është pritur shumë mirë nga publiku.
