
Victoria Beckham ka ndarë me publikun ndikimin që ka pasur jeta e saj nën vëmendjen e vazhdueshme të mediave për më shumë se 30 vjet. Në një dokumentar të ri të Netflix, i cili do të transmetohet në shtator, ajo zbulon se kritikat e ashpra dhe presioni që ka përjetuar gjatë viteve ’90 kanë shkaktuar probleme me imazhin e saj trupor, duke e shtyrë të ndjekë një dietë shumë të kufizuar. Gjatë rrëfimit, Victoria shfaqet e emocionuar dhe tregon se ka pasur momente kur nuk ka mundur të mbajë lotët.

Ajo kujton se si shpesh ndihej e gjykuar nga publiku dhe mediat britanike, madje edhe në momente delikate të jetës private. Një prej rasteve më të vështira, sipas saj, ishte kur në vitin 1999 u detyrua të peshohej live në televizion vetëm dy muaj pas lindjes së djalit të saj, Brooklyn.
David Beckham ka pranuar se bashkëshortja e tij ka konsumuar për 25 vite vetëm peshk dhe perime të ziera, ndërsa vetë Victoria ka rrëfyer se e vetmja “shkelje” e vogël ka qenë një gotë tequila.
Dokumentari ndalet edhe tek rrugëtimi i saj nga këngëtare e “Spice Girls” në një nga emrat më të njohur të botës së modës.


