Aktorja e njohur turke, Hande Erçel, ka reaguar ndaj aludimeve që kanë qarkulluar në media, duke mohuar kategorikisht çdo përfshirje në aktivitete të paligjshme apo përdorim të substancave të ndaluara.
Në dëshminë e saj, të cituar nga gazetarja Ceylan Sever, Erçel ka theksuar fokusin e saj në karrierë dhe arsim, duke deklaruar:
“Aktualisht vazhdoj studimet në Universitetin e Arteve të Bukura ‘Mimar Sinan’. Nuk kam jetë nate. Merrem me aktrim. Nga ambientet e ndryshme të përmendura në dosje, kam shkuar vetëm disa herë në pjesën e restorantit të Hotelit për takime pune.”
Ajo ka sqaruar gjithashtu se nuk ka asnjë lidhje me personat apo ngjarjet e përfolura në media, duke hedhur poshtë pjesëmarrjen në evente private:
“Nuk kam marrë pjesë në asnjë festë apo event privat, të përfolur në media, që pretendohet se është organizuar nga biznesmenë të caktuar. Nuk njoh asnjë person të përmendur në dosje që organizon festa të tilla dhe nuk kam qenë kurrë në dijeni apo e ftuar në to.”
Duke iu referuar aludimeve për substanca të palejuara, aktorja ka qenë e prerë në qëndrimin e saj:
“Në asnjë periudhë të jetës sime nuk kam përdorur substanca të tilla. Për shkak të profesionit tim, kujdesem për një jetesë të shëndetshme. Gjithashtu, nuk e kam parë asnjëherë Hakan Sabancı-n të përdorë substanca të tilla.”
Në fund të deklaratës, Hande Erçel ka shprehur keqardhje për përfshirjen e emrit të saj në këtë çështje, duke theksuar përgjegjësinë që ndjen ndaj publikut:
“Kam rreth 13 vite që dal në ekran, dhe duke qenë e vetëdijshme që kam një audiencë që mund të ndikoj, gjithmonë kam pasur kujdes me mënyrën e jetesës, duke u përpjekur të jem shembull për të gjithë dhe ta përfaqësoj vendin tim në mënyrën më të mirë. Ndiej keqardhje që emri im përmendet në këtë formë në një dosje të tillë dhe nuk i pranoj akuzat e ngritura ndaj meje.”
