Një nga projektet më të reja të kinematografisë shqiptare, “Policë për jetë”, ka bërë dje premierën e tij të shumëpritur, duke sjellë në ekran një kombinim të fuqishëm mes komedisë, aksionit dhe dozave të lehta romantike.
Filmi vjen si vazhdim i projektit të mëparshëm “Policë për kokë”, por këtë herë me një energji të re dhe një hyrje të rëndësishme në kast: personazhi i Luana Vjollcës, e cila rikthehet në ekran në rolin e një aktoreje pas një kohe larg kamerave.
Në qendër të kastit që ka tërhequr vëmendje të madhe janë tre emra të njohur të skenës shqiptare: Nik Xhelilaj, i njohur për suksesin e tij si në Shqipëri ashtu edhe në projekte ndërkombëtare; Luana Vjollca, që sjell një dimension të ri në film me rolin e saj si Luna dhe Olsi Bylyku, i cili vazhdon të shquhet për stilin e tij unik dhe energjinë komike.
View this post on Instagram
Premiera e zhvilluar pasditen e djeshme mblodhi së bashku figura publike, artistë dhe personalitete të ndryshme nga arti dhe televizioni. Atmosfera ishte e mbushur me elegancë dhe stil, ku secili prej protagonistëve u shfaq me një identitet të veçantë vizual: Luana Vjollca tërhoqi vëmendjen me një fustan sateni në ngjyrë “butter yellow”, Olsi Bylyku me një stil të guximshëm që i afrohej estetikës rock na kujtoi pak grupin AC/DC në klipin e Thunderstruck, ndërsa Nik Xhelilaj zgjodhi një kostum klasik të zi, elegant dhe minimalist.
“Policë për jetë” pritet të qëndrojë në kinematë shqiptare për javët në vijim dhe tashmë ka ngjallur kuriozitet të madh te publiku, i cili mezi pret ta shohë në ekranin e madh këtë bashkëpunim të shumëpritur mes emrave të njohur të industrisë së argëtimit.
View this post on Instagram
