Kaltrina Kondi, vajza e Dr. Florit, ishte e ftuar këtë të premte në emisionin “Goca dhe Gra”, ku ndau një rrëfim shumë emocional për babanë e saj të ndjerë. E prekur, ajo u shpreh mes lotësh se mungesa e tij është e pranishme çdo ditë në jetën e saj.
Ajo tregoi se i ngjan të atit në pamje, ndërsa në karakter sheh ngjashmëri me të dy prindërit. Sipas saj, një nga dëshirat më të mëdha të babait ka qenë që ajo të kishte një të ardhme të sigurt dhe të ishte e arsimuar. Kaltrina theksoi se po ndjek rrugën që dëshiron dhe beson se ai do të ishte shumë krenar për të. Megjithatë, ajo pranoi se ka momente të vështira, sidomos kur sheh bashkëmoshatarët e saj në momente të rëndësishme si diplomimi, të shoqëruar nga të dy prindërit.
“Nga tiparet ngjaj me babin. Nga tipi, ngjaj me të dy. Ajo që diskutonte babi ishte që unë të kisha një të ardhme të mirë. Të isha e shkolluar. Unë po ndjek atë që dua dhe besoj se ai është shumë krenar.
Mungesa e tij ndihet çdo ditë. Ka periudha që i kaloj shumë keq. Kur shoh të tjerët që janë në diplomim me mamin dhe babin”, u shpreh ajo.
Gjatë intervistës, ajo komentoi edhe për lojën e Mirit në “Big Brother VIP”. Sipas saj, të gjithë banorët janë të mirë në mënyrën e tyre, por loja mbetet një sfidë me anë pozitive dhe negative. Megjithatë, ajo veçoi Mirin si të vetmin që nuk ka përdorur ofendime dhe e konsideron një lojtar shumë të fortë që ka përballuar shumë situata. Ajo mendon se raporti i tij me Selinën është keqinterpretuar dhe nuk shkon përtej një strategjie loje.
Në fund, ajo tregoi se ishte vetë ajo që e kishte nxitur Mirin të bëhej pjesë e formatit dhe është shumë e lumtur për këtë vendim. Familja e mbështet vazhdimisht, duke i dërguar mesazhe përmes “Big Love”. Ajo u shpreh krenare për të, ndërsa edhe vajza e Mirit e ndjek çdo ditë, ndonëse disa akuza nuk i kanë pëlqyer, ajo mbetet krenare për të atin.
“Banorët, shumë të mirë janë të gjithë. Aty është një lojë. Kanë të mirat dhe të këqijat e tyre. Por për mua, vetëm Miri. Raporti i Selin dhe Mirit është një raport i keqkuptuar. Nuk më është dukur diçka më shumë se lojë.
Mirin e shoh si lojtarin e vetëm që nuk ka ofenduar. Shumë i fortë, ka duruar shumë. Çfarë do ndryshoja unë te Miri? Mos të ishte i mirësjellshëm me banorët që nuk ia duan të mirën. Me Rogertin ka një lidhje shumë të mirë shoqërore, por në fund të ditës aty është vetëm një lojë.
Unë i kam thënë Mirit të futej. Jam gëzuar shumë. I kemi dërguar mesazhe në ‘Big Love’. Jam shumë krenare. Vajza e Mirit e sheh përditë, ashtu si ne. Normal nuk është ndjerë mirë nga akuzat që ka dëgjuar. Por edhe ajo është krenare për babanë e saj”, shtoi Kaltrina.
