Sfida e mosreagimeve vazhdon në shtëpinë e “Big Brother VIP 5”, ku banorët duhet të qëndrojnë të qetë dhe të mos shfaqin emocione përballë situatave të papritura dhe hyrjeve surprizë.
Së fundmi, në dhomën e surprizave u shfaq Gimbo, i cili hyri me pranga në duar. Kur banorët e panë në living, Selin u dëgjua duke thënë: “Vëllai i Madh, të lutem mos ma bëj këtë”.
Pak më herët, të mërkurën, në ekranin e madh ishte transmetuar një lajm i rremë që pretendonte se Gimbo ishte arrestuar. Edhe pse Selin e pa këtë lajm, ajo nuk reagoi dhe nuk e ndau me banorët e tjerë.
Megjithatë, emocionet e saj nuk zgjatën shumë të fshehura. Sapo Gimbo hyri në shtëpi dhe u afrua pranë saj, Selin nuk arriti ta mbante veten dhe e përqafoi, duke thyer kështu rregullin e sfidës nga malli që kishte për të.
