KreuCelebrity

“Më fal dhe të dua” Deputetja Sara Mila bën dedikimin prekës për bashkëshortin

“Më fal dhe të dua” Deputetja Sara Mila bën dedikimin

Deputetja e Partisë Socialiste, Sara Mila, ka ndarë detaje nga jeta e saj politike dhe personale gjatë një interviste në emisionin “Goca dhe Gra”, ku ka folur hapur për përvojën në Kuvendin e Shqipërisë dhe sfidat që sjell kjo përgjegjësi.

Ajo u shpreh se hyrja në sallën e Kuvendit është një përjetim emocional, por realiteti i brendshëm nuk përputhet gjithmonë me imazhin që transmetohet në publik.

“Kisha emocione përpara se të hyja, do të gënjeja nëse do të thoja që nuk e ka salla atë madhështi. Do të kisha dashur të ishte edhe përmbajtja në nivelin e asaj salle,” tha Mila, duke shtuar se “është një teatër që nuk është aq i bukur, nuk është historia aq tragjike sa duket në kamera”.

Ajo theksoi se perceptimi publik shpesh është i ekzagjeruar: “Do të doja që historia të ishte më e vërtetë”.

Duke folur për përvojën e saj si deputete, Mila u ndal edhe tek angazhimi i madh që kërkon mandati parlamentar dhe vështirësia për të ruajtur ekuilibrin mes jetës personale dhe punës.

“Unë e ndaj kohën time në zonën ku jetoj me punët e parlamentit… të jem e sinqertë kanë qenë më të shtuara, ka qenë një mandat më i ngjeshur. Jam munduar të ruaj një balancë,” u shpreh ajo.

Deputetja nuk i shmangu as komentet politike që e kanë prekur, duke iu referuar deklaratave për mungesën e deputetëve të vjetër në Kuvend.

“Më ka prekur komenti i zonjës Topalli se i mungojnë parlamentit deputetët e vjetër… Ne shqiptarët themi ‘a të dogji?’, po më dogji,” tha Mila, duke shtuar se “ajo nuk është mbajtur ndonjëherë për të folur të butë, ishte brenda karakterit të saj”.

Në të njëjtën intervistë, ajo ndau për herë të parë momente nga jeta familjare, duke zbuluar rolin e rëndësishëm të bashkëshortit në rrugëtimin e saj politik.

“Unë s’e di a ka shembull më të bukur dhe dëshmi më të fortë dashurie që të lejosh vajzat në Shqipëri që të bëjnë një punë politike… ai më ka shtyrë të aplikoj dhe më ka thënë që e bëj më mirë se askush,” rrëfeu deputetja.

Mila e cilësoi bashkëshortin si mbështetësin e saj më të madh: “Ai është mbështetësi im më i madh dhe e falënderoj shumë”.

Në fund, ajo emocionoi me një mesazh të drejtpërdrejtë për partnerin e saj, duke pranuar sakrificat që ka sjellë angazhimi politik në jetën e tyre.

“E di që po na shikon… ai s’e do jetën publike edhe është bërë pishman edhe për atë foto,” tha ajo me humor, përpara se të shtonte: “Nuk do ta nisja me ‘të dua’, por për një kërkesë falje… ky ka qenë viti i 11 dhe këtë vit ne nuk jemi parë shumë këto kohë”.

Mes emocioneve, ajo përfundoi: “I them më fal edhe të dua”.