Sot është mbushur një vit nga ndarja nga jeta e ish-deputetit Gerti Bogdani. Në këtë ditë të vështirë për familjen, bashkëshortja e tij, Edlira Çepani, ka ndarë një mesazh prekës në rrjetet sociale, ku shprehet se dhimbja nuk është zbehur me kohën, përkundrazi, ajo ndjehet çdo ditë.
“1 vit pa ty Gert! Duket edhe si një përjetësi, por edhe sikur ishte dje që na dhe përqafimin e fundit… Çdo ditë e çdo vit pa ty do duket si një përjetësi, e do duket sërish sikur të kemi aty në çdo moment,” shkruan Çepani.
Ajo thekson se edhe pse dhimbja është e pashmangshme, ngushëllimi vjen nga njerëzit që i rrethojnë me dashuri dhe kujtimet e miqve nga e gjithë bota që vijojnë ta përkujtojnë Bogdanin me respekt.
“Jemi të bekuar se kaq shumë njerëz na kanë dashur e na duan fort, kaq shumë miq nga e gjithë bota që të kujtojnë me mall dhe respekt, e që sot janë sërish duke të kujtuar ty, si një dritë që ndriçoje zemrat e kujtdo që kishe pranë,” shkruan ajo.
Në fund, Edlira Çepani zotohet se do të mbajë gjallë misionin dhe kauzat për të cilat Gerti Bogdani luftoi gjatë jetës së tij publike:
“Ne do e vazhdojmë hap pas hapi misionin tënd, do t’i ngremë lart gjithë vlerat dhe kauzat për të cilat ti luftove fort, deri sa të kemi jetë! Të duam pafund e do jemi çdo ditë plot mall, deri ditën kur të takohemi sërish, drita jonë!”

