Aktori i njohur kinez, Alan “Yu” Menglong, ka ndërruar jetë në moshën 37-vjeçare pasi ra nga pallati ku jetonte në lagjen Chaoyang të Pekinit. Lajmi u bë i ditur nga mediat ndërkombëtare dhe ka tronditur fansat e tij në mbarë botën.
Menglong ishte i njohur për rolin e tij në serialin popullor Eternal Love në Netflix, por edhe për pjesëmarrjen në projekte të tjera të suksesshme si The Legend of the White Snake, Go Princess Go dhe The Moon Brightens You. Paraqitja e tij e fundit erdhi këtë vit në serialin Feud (2025).
Sipas policisë, hetimet e para kanë përjashtuar pistën kriminale, duke lënë të paqartë shkaqet e rrëzimit fatal. Megjithatë, kjo nuk e ka ndalur valën e polemikave që kanë shpërthyer në rrjetet sociale.
Në platforma si Weibo dhe Twitter, fansat dhe komentuesit po hedhin dyshime se vdekja e tij nuk ishte një aksident i thjeshtë. Shumë prej tyre spekulojnë se aktori mund të jetë shtyrë drejt një fundi tragjik nga presionet e industrisë së showbiz-it kinez, duke folur hapur për “errësirën e fshehur” pas famës. Të tjerë e lidhin me çështje të shëndetit mendor dhe mungesën e mbështetjes psikologjike për figurat publike.
Ka edhe nga ata që e shohin rastin si një “mister të fabrikuar”, duke sugjeruar se aktorin e kane hedhur qëllimisht dhe se versioni zyrtar po përpiqet ta paraqesë si një rrëzim aksidental. Hashtagu #AlanYuMenglong ka shpërthyer në Weibo, duke grumbulluar miliona shikime brenda pak orësh, ndërsa fansat po kërkojnë transparencë të plotë nga autoritetet kineze.
Pavarësisht polemikave, një gjë është e qartë: arti kinez ka humbur një prej yjeve të tij më të ndritshëm, i cili, me talentin dhe sharmin e tij, la gjurmë të pashlyeshme te publiku.

