KreuCelebrity

Nga Rusia në Shqipëri për dashurinë! Historia e Elizaveta Bibës EKSKLUZIVISHT NË BORDO

“Shqiptarë me Zemër” kjo do të jetë rubrika jonë më e re në platformën tonë YouTube ku do të sjellim personazhe me kombësi të ndryshme të cilët kanë zgjedhur si vendin e tyre të jetës dhe të zemrës, Shqipërinë.

E nisim këtë rubrikë me një zonjë me një histori shumë të veçantë. Ajo erdhi nga Rusia mbi një dekadë më parë e ftuar më dasmën e shoqes së saj aty ku u njoh dhe u dashurua me bashkëshortin e saj. Ata të dy tashmë prindër të 2 fëmijëve. Sot Elisaveta Biba është edhe drejtuese e qendrës së njohur të gjuhëve të huaja “HelenDoron”. 

Liza ti vetë si e mësove shqipen?

"Mund të them që unë nuk kam frekuentuar asnjë kurs apo shkollë të caktuar. Me ndihmën e familjarëve, shoqërisë dhe në përgjithësi fakti që këtu të huajt ndihen mirë, nuk ndjeva stresin që nuk flas shqip, por ndjevq shumë durim dhe shumë mikëpritje që okay je e huaj do të mësosh avash avash. Mendoj që këto ishin faktorët që më kanë ndihmuar, por e kam mësuar në jetën e përditshme këtu."

Ke pasur një fjalë më të vështirë për ta mësuar?

"Ka disa tinguj që veshi im i ka të vështira si Q dhe Ç, unë deri tani nuk arrij ta them të saktë dhe kur shkruaj pyes është Q si QTU apo ç si çaj, sepse nuk e dalloj dot. Nga fjalët mund të them që “gjithçka” ka qenë një fjalë e vështirë."

Si lindi ideja për këtë qendër?

"Të jem e sinqertë kur ka nisur ideja nuk kam qenë akoma mami, por e kisha shumë përzemër fëmijët dhe të ardhmen e tyre këtu në Shqipëri. Po shikoja që ka shumë mangësi për aktivitete për zhvillim të hershëm, për stimulim, për gjuhët e huaja, një mënyrë ndryshe që të mësojnë fëmijët. Dhe atëherë gati 15 vite më përpara ka nisur ky aktivitet dhe nuk e nisa vetëm me forcën time."

Cila është mosha më e vogël e nxënësve që frekuentojnë qendrën?

"Unë në fakt jam mësuese e grupit të bebeve dhe vetë e bëj gjithë këto vite. Është kënaqësi e madhe të mësosh bebet dhe nga eksperienca ime nga 4 muaj. Vajzat e mia kanë filluar nga mosha 8-9 muaj."

Prej sa vitesh je tashmë në Shqipëri konkretisht?

"15 vite kam që kur jam martuar dhe kam nisur këtë udhëtim të bukur."

Kur erdhe fillimisht në Shqipëri në Tiranë e mendove që do qëndroje kaq gjatë?

"Në fakt kam ardhur për pushime dhe për dasmën e shoqes time. Kam ardhur me sytë e hapur, zemrën hapur si diçka që ekzotike do thoja unë. Jo nuk kisha plane afatgjate."