Një libër i ri për monarkinë britanike, me titull “Power and the Palace”, sjell në dritë një episod të panjohur nga jeta e Mbretëreshës Camilla, e cila si adoleshente u përball me një tentativë sulmi seksual dhe arriti të mbrohej duke përdorur takën e këpucës kundër agresorit.
Sipas botimit, i serializuar nga Sunday Times, Camilla e ka ndarë këtë përvojë me Boris Johnson gjatë kohës kur ai mbante postin e kryebashkiakut të Londrës (2008–2016). Autori i librit, Valentine Low – ish-korrespondent i Times për çështjet mbretërore – bisedoi me Guto Harri, ish-drejtorin e komunikimit të Johnson, i cili kujtoi një takim në Clarence House rreth vitit 2008, ku u rrëfye ngjarja.
Sipas Harr-it, biseda ishte miqësore, por në një moment mori një ton më serioz, kur Camilla kujtoi episodin:
“Isha në tren për në Paddington, rreth moshës 16 ose 17 vjeçare, kur një djalë u përpoq të më afrohej me dorën e tij… Atëherë bëra atë që më kishte mësuar nëna ime: hoqa këpucën dhe e godita me takë në testikuj.”
Mbretëresha shtoi se, sapo mbërriti në stacionin Paddington, kërkoi ndihmë nga një roje dhe raportoi incidentin, çka çoi në arrestimin e autorit të sulmit.
Sot, në moshën 78-vjeçare, Mbretëreshë Camilla është e njohur për angazhimin e saj të vazhdueshëm në fushata kundër dhunës në familje dhe abuzimit seksual. Ajo ka përqendruar një pjesë të madhe të veprimtarisë bamirëse në mbështetje të viktimave të këtyre krimeve. Një nga nismat e saj më të dalluara ka qenë krijimi i pakove ndihmëse për gratë e prekura nga sulmet seksuale, një ide që është rihapur dhe po zbatohet sërish kohët e fundit.


