KreuCelebrity

Nëna e saj Vera u diagnostikua me sëmundjen e rëndë, Rita Ora rrëfen periudhën e vështirë: U preka nga PTSD!

Nëna e saj Vera u diagnostikua me sëmundjen e rëndë, Rita

Rita Ora ka folur hapur për vitet e saj të “vështira” si adoleshente, kur jeta e saj “u shemb” pasi nëna e saj, Vera, u diagnostikua me kancer të gjirit. Këngëtarja shqiptare me famë botërore, 34 vjeçe, ishte vetëm 13 vjeç kur nëna e saj u diagnostikua në vitin 2005, në moshën 39-vjeçare, dhe iu nënshtrua një mastektomie të pjesshme, kimioterapisë dhe rrezatimit.

Rita, e cila më herët ka treguar se ka përjetuar PTSD (çrregullim të stresit post-traumatik) dhe sulme paniku pas betejës së Verës me shëndetin, zbuloi se tani vuan nga hipokondria dhe i nënshtrohet rregullisht kontrolleve shëndetësore. Gjatë një bisede në podcastin Begin Again me Davina McCall, këngëtarja foli për periudhën e vështirë të sëmundjes së nënës së saj.

“Ishte e vështirë të shihje diçka që beson se gjithmonë ka qenë dhe gjithmonë do të jetë aty për ty, të shembet përpara syve”.

“Edhe kur je fëmijë – unë isha adoleshente, 13 vjeç – isha shumë e hutuar. Doja të isha me të gjithë kohën, por ajo donte që të shkoja në shkollë. Po shkoja në një shkollë shumë të mirë që ata po e paguanin, mes gjithë atyre trajtimeve që ajo po kalonte. Ishte një periudhë shumë e vështirë për prindërit e mi”, tha ajo.

Rita tha se të shihte të gjithë procesin e trajtimit të Verës ndikoi edhe në shëndetin e saj personal, dhe ajo filloi të shkonte “shumë shpesh” te mjeku.

“Është çmenduri te mendosh për statistikat dhe përqindjet e kancerit të gjirit, dhe kjo më shqetësoi shumë. Fillova të bëja kontrolle të rregullta dhe në një farë mënyre kjo u reflektua edhe në shëndetin tim. Sepse me të vërtetë e përjetova gjithë përvojën me mamanë time”.

“Doja me patjetër të isha aty për të, kështu që nuk e kuptova në fakt se ajo çfarë po ndodhte me mua ishte reale, derisa fillova terapinë”.

“Mendova me vete: ‘Ndoshta po shkoj te mjeku më shumë se ç’duhet.’ Por besoj se kjo ishte arsyeja – sepse e pashë gjithë atë që ndodhi dhe gjithë atë proces trajtimi”.

Këngëtarja shtoi se nëna e saj ka PTSD dhe përjeton një “frikë të vazhdueshme” sa herë i afrohen kontrollet e rregullta, për shkak të mendimit të vazhdueshëm “po sikur?”.

“Edhe ajo ndjen ende të njëjtën frikë kur shkon për kontrolle. Duhet t’i bësh gjithmonë ato, por mamaja ime gjithmonë ka atë frikën gjatë asaj periudhe: ‘po sikur?’ Dhe sigurisht që kjo është PTSD.” “Zoti e di se si është ndier duke kaluar atë përvojë, por po – është një frikë që nuk të lë kurrë, kur ke pasur një përvojë që ta ndryshon jetën”.