Lea Massari, një nga figurat më të njohura të kinemasë italiane dhe evropiane, ka ndërruar jetë në moshën 91-vjeçare. Aktorja ndërroi jetë në banesën e saj në Romë, sipas raportimeve të mediave italiane.
Massari u bë e njohur për rolet e saj të paharrueshme në filma si L’Avventura (1960) nga Michelangelo Antonioni, A Difficult Life (1961) i Dino Risi-t dhe Murmur of the Heart (1971) i Louis Malle. Gjatë karrierës së saj disa dekadëshe në film, teatër dhe televizion, ajo punoi përkrah emrave të mëdhenj si Alain Delon, Jean-Paul Belmondo, Michel Piccoli dhe Omar Sharif. dhe pse e dashur nga publiku, Massari preferoi të mbante një profil të ulët dhe u tërhoq nga aktrimi më shumë se 30 vjet më parë, duke u shfaqur rrallë në publik.
E lindur më 30 qershor 1933 si Anna Maria Massatani, ajo mori emrin artistik Lea në kujtim të të fejuarit të saj, Leo, i cili humbi jetën në një aksident pak para martesës së tyre. Fëmijërinë e kaloi në vende të ndryshme të Evropës për shkak të punës së të atit, një inxhinier, ndërsa vetë studioi arkitekturë dhe punoi si modele për të siguruar të ardhura.



















