Ish-banorja e “Big Brother VIP 5”, Edisa Demollari, ishte pjesë e rubrikës “Trotuar” në emisionin “E Diell”, ku komentoi marrëdhënien mes Brikenës dhe Mateos, si dhe sqaroi thashethemet që e lidhnin atë me këtë të fundit.
Gjatë fjalës së saj, Edisa u shpreh kritike ndaj sjelljes së Mateos në shtëpi, duke theksuar se nuk i ka pëlqyer fakti që ai ka përmendur të kaluarën e Brikenës në publik.
“Si vajzë, nuk do doja kurrë që një djalë që përmend të shkuarën e një vajze në publik të shkojë në finale. Nuk e di se si e bëri Brikena dasmën, pasi ai e nxori atë mashtruese para shqiptarëve,” u shpreh ajo.
Ajo shtoi gjithashtu se marrëdhënia mes dy banorëve i është dukur si një strategji loje e mirëorganizuar. Sipas saj, situatat mes tyre kanë qenë të parashikueshme dhe të kalkuluara.
“Mendoj që ata e kanë lojë, një lojë që është luajtur bukur. Kanë qenë shumë të parashikuar për mua,” tha Edisa, duke treguar se kishte parashikuar edhe momentet kyçe të afrimit mes tyre.
Sa i përket aludimeve për një lidhje të mundshme me Mateon jashtë shtëpisë, Edisa i mohoi kategorikisht këto zëra.
“Dua të distancohem totalisht nga Mateo. Nuk njihemi fare nga jashtë. Kam 16 vite që jam shkëputur nga Elbasani dhe jemi edhe breza të ndryshëm,” u shpreh ajo.
Ajo shtoi se pretendimet për xhelozi ndaj Brikenës kanë qenë thjesht një interpretim i gabuar i situatave brenda shtëpisë.
“Sulmin ndaj Brikenës donin vetë ata ta interpretonin si xhelozi, sepse nuk kishin argument tjetër,” deklaroi Demollari.
Në fund, ajo dha edhe një koment personal për Mateon, duke theksuar se, ndonëse e konsideron një djalë të mirë, nuk ka parë tek ai forcën e karakterit që ajo vlerëson.
“Edhe unë i pëlqej çunat muskulozë, por dua që të jenë të fortë edhe në karakter, gjë që te Mateo nuk e pashë,” përfundoi ajo.
