
Aktori legjendar Harrison Ford ka ndarë një rrëfim të rrallë për një nga periudhat më të errëta të jetës së tij, duke zbuluar se gjatë viteve të kolegjit ka përjetuar depresion të thellë.
Në podcast-in “Awards Chatter” të The Hollywood Reporter, 83-vjeçari tregoi se gjatë kohës në Ripon College, në Wisconsin, jetonte i izoluar dhe pa motivim. Ai kujtoi se ditët i kalonte pothuajse tërësisht në shtrat, duke porositur ushqim dhe duke shmangur çdo kontakt me botën jashtë.
“Zgjohesha, porosisja një pica dhe kthehesha sërish në shtrat. E haja dhe flija përsëri,” rrëfeu ai, duke shtuar se edhe kur përpiqej të shkonte në mësim, shpesh ndalej te dera dhe kthehej pas pa hyrë.
Ford theksoi se një kthesë e rëndësishme në jetën e tij erdhi rastësisht, kur u regjistrua në një kurs aktrimi për të përmirësuar notat. Pikërisht aty, ai zbuloi pasionin për skenën dhe ndjeu për herë të parë se i përkiste një komuniteti.
“E kuptova që ishte vendi im, mes njerëzve që tregojnë histori. Kjo më ndryshoi jetën,” u shpreh ai.
Megjithatë, rruga e tij akademike nuk pati një fund të lumtur. Aktori zbuloi se u përjashtua nga universiteti vetëm katër ditë para diplomimit, për shkak të plagjiaturës në një punim filozofie.
Pavarësisht kësaj, Ford arriti të ndërtojë një karrierë të jashtëzakonshme në Hollywood, duke theksuar se suksesi i tij erdhi si rezultat i këmbënguljes, rastësive dhe mundësive të kapura në momentin e duhur. Ai përmendi filma si “American Graffiti”, “The Conversation” dhe “Star Wars” si pika kyçe në rrugëtimin e tij drejt famës.
