
Johnny Depp është përfshirë së fundmi në një çështje të rëndë mashtrimi financiar, pasi të dhënat e kartës së tij American Express dyshohet se janë përdorur për qindra pagesa të paautorizuara me vlerë mbi 520 mijë paund.
Sipas mediave të huaja, policia në Hungari ka arrestuar një 27-vjeçar në Budapest, i cili dyshohet se qëndron pas skemës. Arrestimi u krye gjatë një operacioni policor më 6 maj, ku forcat speciale ndërhynë në apartamentin e të dyshuarit.
Hetimet paraprake tregojnë se i riu mund të ketë siguruar informacionet bankare të aktorit përmes platformave online, gjatë blerjeve apo rezervimeve të ndryshme në internet. Dyshohet se transaksionet janë realizuar për një periudhë gati dyvjeçare, nga fillimi i vitit 2024 deri në fund të 2025-ës.
Sinjalizimi fillestar erdhi nga një bankë amerikane, e cila vuri re lëvizje të pazakonta në llogari dhe më pas informoi autoritetet përkatëse. Hetimet çuan deri te një banesë me qira në Budapest, ku u identifikua i dyshuari.
Edhe pse 27-vjeçari ka mohuar përfshirjen, gjykata ka vendosur ta mbajë në paraburgim, ndërsa autoritetet po shqyrtojnë mbi 300 transaksione të dyshimta që kapin vlerën e rreth 536 mijë paundëve.
Ngjarja ka rikthyer në vëmendje periudhën kur Depp ndodhej në Hungari për xhirimet e filmit “Modì, Three Days on the Wing of Madness”, projekt i drejtuar prej tij me pjesëmarrjen e Al Pacino dhe Stephen Graham.
Ndërkohë, aktori pritet të rikthehet në një produksion amerikan pas disa vitesh mungesë, me filmin “Ebenezer: A Christmas Carol”, ku do të interpretojë krah Daisy Ridley dhe Sam Claflin.
