Kompozitorja fituese e cmimit Grammy Carole Bayer Sager, mikeshë e ngushtë e Diane Keaton, foli për gjendjen e aktores së famshme përpara se ajo të ndërronte jetë në moshën 79 vjeçare.
“E pashë dy ose tre javë më parë dhe ishte shumë e dobët. Kishte humbur shumë peshë”, rrëfeu Sager për revistën People.
Keaton e kishte kaluar pjesën e mbetur të vitit në Palm Springs pas dëmtimeve që pati shtëpia e saj nga zjarret e janarit në Los Angeles. Ajo e përshkroi Diane si një dritë magjike për të gjithë, si një njeri që rrezonte lumturi dhe optimizëm.
Po kështu, vlerësoi edhe stilin unik të aktores duke përmendur kapelat, xhaketat, pantallonat e gjera dhe rripat që e bënë atë një ikonë të modës. Keaton nuk u martua kurrë, por la pas dy fëmijë të adoptuar, vajzën Dexter, 29 vjeçe, dhe djalin Duke, 25 vjeç. Një zëdhënës i familjes konfirmoi se aktorja ndërroi jetë në Kaliforni dhe të afërmit kërkojnë privatësi ndërsa vajtojnë humbjen e saj.


