Parisi, ku kaloi nje pjese te jetes, ka vendosur te nderoje kolosin e letrave shqipe, shkrimtarin Ismail Kadare. Një pllakë përkujtimore do të vendoset në bulevardin ‘Saint Michele’, pranë shtëpisë ku Kadare jetoi dhe krijoi për shumë vite. E bija e tij, Besiana Kadare në një postim në Facebook shkruan se ky gjest fisnik i Evropës nderon jo vetëm autorin, por edhe Shqipërinë dhe kontributin e kulturës sonë.
“Parisi i bëri dje një nderim të denjë Ismail Kadaresë, në qytetin ku ai jetoi dhe krijoi një pjesë të veprës së tij universale. Këshilli Bashkiak i Parisit votoi me unanimitet për vendosjen e një pllake përkujtimore në adresën tonë 63 boulevard Saint-Michel 75005, ku lindën disa nga faqet më të ndritura të letërsisë shqipe. Kadare ishte një ndërgjegje evropiane e farkëtuar në tokën shqiptare. Ai e përshkroi identitetin dhe rrugëtimin e kombit shqiptar si thellësisht evropian shumë përpara se ta njihte Brukseli.
Ky gjest fisnik i Evropës nderon jo vetëm autorin, por edhe Shqipërinë dhe kontributin e kulturës sonë në ndërtimin e qytetërimit shpirtëror evropian, përtej kufijve dhe politikës. Disa herë janë të tjerët që na kujtojnë më mirë se kush jemi dhe çfarë i kemi dhënë botës. Faleminderit Parisit dhe Francës për këtë përkujtim plot dritë”, shkruan Besiana Kadare.
https://www.facebook.com/bessiana.kadare/posts/10163858039573086
Ismail Kadare, një nga autorët më të mëdhenj të letërsisë bashkëkohore evropiane dhe figura më e shquar e letërsisë shqiptare të shekullit XX, u nda nga jeta më 1 korrik 2024, në moshën 88-vjeçare.

