
Pas viteve të tëra suksesi në botën e biznesit dhe televizionit, Kylie Jenner duket se është gati për një sfidë të re, aktrimin. Ylli i “The Kardashians” do të marrë pjesë në filmin e ri të studios A24, me titull “The Moment”, duke ndjekur kështu hapat e partnerit të saj, Timothée Chalamet, i cili prej kohësh është një nga aktorët më të vlerësuar të Hollywood-it.
Filmi do të drejtohet nga Aidan Zamiri, ndërsa rolin kryesor do ta mbajë këngëtarja e njohur Charli XCX, e cila është gjithashtu edhe ideatorja e konceptit origjinal. Në një postim në Instagram, Charli zbuloi kastin mbresëlënës të aktorëve që do të marrin pjesë në projekt, ku përveç Kylie Jenner përfshihen edhe emra të mëdhenj si Alexander Skarsgård, Rosanna Arquette, Reese Witherspoon, Jamie Demetriou, Kate Berlant dhe shumë të tjerë.
“The Moment” do të tregojë historinë e një ylli të ri të muzikës pop, i cili përpiqet të përballojë kompleksitetet e famës, presionet e industrisë muzikore dhe kërkimin për identitet në një botë ku gjithçka ndodh nën dritat e kamerave. Charli XCX do të luajë rolin kryesor, ndërsa pjesëmarrja e Kylie Jenner në projekt ka zgjuar shumë kureshtje, pasi kjo është hera e parë që ajo shfaqet në një prodhim filmik serioz.


