
Pas më shumë se një dekade mungesë në një nga festivalet më të njohura të muzikës shqiptare, këngëtarja e njohur Manjola Nallbani është rikthyer fuqishëm në skenën e “Këngës Magjike”. Me një karrierë të gjatë dhe të suksesshme, Nallbani i është rikthyer konkurrimit pas 13 vitesh, duke surprizuar publikun dhe adhuruesit e saj me këngën “Jetoj”.
Kjo pjesëmarrje shënon jo vetëm një kthim simbolik në skenë, por edhe një dëshmi të forcës artistike dhe qëndrueshmërisë së saj në muzikën shqiptare. “Jetoj” është një baladë e fuqishme emocionale, një këngë-himn për jetën, një thirrje për të dashur dashurinë e për të mos lënë virtualitetin, rendin e jetës të ndikojë në formën se si jetojmë nga dashuria.
Publiku e priti me entuziazëm interpretimin e saj, duke e vlerësuar për fuqinë vokale, elegancën dhe mesazhin e ndjerë të këngës. Nallbani, që ka qenë gjithmonë një figurë e rëndësishme në skenën muzikore shqiptare, rikthehet në një periudhë kur muzika shqipe ka nevojë për zëra të fuqishëm dhe mesazhe të vërteta.


