
Një moment historik për kinemanë shqiptare është shënuar në ceremoninë e 98-të të ndarjes së çmimeve Oscar. Filmi i shkurtër në gjuhën frënge “Two People Exchanging Saliva” (“Dy persona shkëmbejnë pështymë”), ku në rolin kryesor interpreton aktorja nga Kosova Luana Bajrami, është shpallur Filmi më i mirë me metrazh të shkurtër.
Ky sukses i madh e çoi Bajramin në skenën e Oscars së bashku me ekipin e filmit për të marrë çmimin. Gjatë prezantimit të ekipit, ajo u përmend si aktore nga Kosova, ndërsa projekti u vlerësua gjithashtu për faktin se është realizuar kryesisht nga një ekip grash.
Filmi trajton tema të forta si intimiteti dhe konsumizmi, duke paraqitur një botë ku prekja romantike veçanërisht puthja është e ndaluar dhe madje dënohet me vdekje.
Pas këtij triumfi kanë reaguar edhe Qendra Kinematografike e Kosovës dhe Qendra Kombëtare e Kinematografisë së Shqipërisë, duke e cilësuar këtë moment si një arritje të rëndësishme për artin shqiptar. Në reagimin e Qendrës së Kosovës theksohet se pjesëmarrja e Luanës në këtë projekt fitues është një burim krenarie për kinemanë kosovare dhe dëshmi e talentit që artistët nga Kosova po tregojnë në arenën ndërkombëtare.
Ndërkohë, Qendra e Kinematografisë në Shqipëri e cilësoi këtë vlerësim jo vetëm si një sukses personal të aktores, por edhe si një tregues të fuqisë dhe potencialit të artistëve shqiptarë në skenat më prestigjioze të botës.
Çmimi për Filmin më të mirë të shkurtër këtë vit është ndarë mes dy produksioneve, “Two People Exchanging Saliva” dhe “The Singers”, një vendim i rrallë në historinë e ndarjes së çmimeve Oscar.
