Aktori amerikan Michael B. Jordan është shpallur fitues i çmimit Oscar për Aktorin më të Mirë në edicionin e 98-të të Academy Awards për rolin e tij në filmin “Sinners”. Ky është çmimi i parë Oscar në karrierën e tij.
Aktori 39-vjeçar triumfoi në një garë të fortë përballë emrave të njohur të kinemasë si Timothée Chalamet për “Marty Supreme”, Ethan Hawke për “Blue Moon” dhe Leonardo DiCaprio për “One Battle After Another”.
Gjatë fjalimit të tij në skenë, Jordan falënderoi familjen e tij dhe bashkëpunëtorët. “Zoti është i mirë”, tha ai, ndërsa iu drejtua edhe nënës së tij që ndodhej në sallë. Aktori falënderoi gjithashtu regjisorin Ryan Coogler, me të cilin ka bashkëpunuar pesë herë gjatë karrierës së tij, duke e quajtur atë një mik dhe bashkëpunëtor të rëndësishëm që i ka dhënë hapësirë për të treguar talentin e tij.
Me këtë fitore, Jordan bëhet aktori i gjashtë afro-amerikan që fiton Oscar për Aktorin më të Mirë, duke iu bashkuar një liste të rëndësishme që përfshin Sidney Poitier, Denzel Washington, Jamie Foxx, Forest Whitaker dhe Will Smith.
Në filmin “Sinners”, i shkruar dhe drejtuar nga Ryan Coogler, Jordan interpreton një rol të dyfishtë si vëllezërit binjakë Elijah “Smoke” dhe Elias “Stack” Moore. Me këtë performancë, ai bëhet edhe aktori i parë që fiton Oscar për interpretimin e dy binjakëve në të njëjtin film.
