
Vendimi i Gjykatës Themelore për t’i caktuar 30 ditë paraburgim këngëtarit Besart Kelmendi, i njohur për publikun si Gjesti, ka shkaktuar reagime të shumta në estradën shqiptare. Ndërsa çështja po trajtohet nga organet e drejtësisë, shumë artistë kanë nisur të shprehin publikisht mbështetjen e tyre për kolegun.
Mes tyre është edhe reperja e njohur Tayna, e cila reagoi përmes një postimi në Instagram. Ajo publikoi një fotografi ku shfaqet duke përqafuar Gjestin në skenë dhe e shoqëroi me një mesazh reflektues për sfidat që, sipas saj, përballen shpesh artistët në prapaskenë.
Në reagimin e saj, Tayna theksoi se publiku shpesh gjykon reagimet e artistëve pa njohur plotësisht rrethanat apo presionet që ata përjetojnë në profesionin e tyre.

“Shumë njerëz e gjykojnë reagimin, por pak e dinë çfarë e çon një artist deri në atë pikë. Kur puna jote, zëri yt dhe djersa jote nuk respektohen, dhimbja kthehet në revoltë”, shkroi ajo.
Reperja shtoi gjithashtu se sfidat në industrinë muzikore janë të përbashkëta për shumë krijues dhe bëri thirrje për më shumë solidaritet mes artistëve.
“Artistët meritojnë drejtësi për krijimet e tyre. Në fund të ditës, të gjithë përballemi me sfida të ngjashme dhe në momente të tilla duhet të mbështesim njëri-tjetrin”, përfundoi Tayna.
Reagimi i saj vjen në një moment kur rasti i Gjestit po komentohet gjerësisht në rrjete sociale dhe media, ndërsa shumë figura të estradës kanë shprehur mbështetje morale për të.
