KreuCelebrity

Darkë ‘e çmendur’ në dosjet Epstein: Musk, Zuckerberg dhe Thiel në të njëjtën tavolinë

Darkë ‘e çmendur’ në dosjet Epstein: Musk,
Një fotografi e sapo zbuluar nga dosjet e Jeffrey Epstein ka ndezur sërish debatet mbi lidhjet e financierit të diskredituar me figura të fuqishme të teknologjisë globale. Në imazh shfaqet një darkë e zhvilluar në vitin 2015, ku në të njëjtën tavolinë ndodhen Mark Zuckerberg, themeluesi i Facebook, Elon Musk, drejtuesi i SpaceX dhe Tesla, si edhe Peter Thiel, bashkëthemelues i PayPal.

Fotografia është bërë publike në kuadër të dokumenteve të deklasifikuara nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë. Sipas raportimeve të mediave britanike, imazhi ishte dërguar me email nga vetë Epstein më 3 gusht 2015, vetëm një ditë pas zhvillimit të darkës. Mësohet gjithashtu se ai e mbante fotografinë të kornizuar në apartamentin e tij luksoz në Manhattan, duke i dhënë asaj një rëndësi të veçantë personale.

Dokumentet tregojnë se takimi ishte mbajtur më 2 gusht 2015 dhe se Epstein, disa javë më pas, i ishte referuar kësaj darke si “e çmendur” në një email drejtuar miliarderit Tom Pritzker. Ky detaj ka tërhequr vëmendje të re, në një kohë kur po shtohet shqyrtimi publik mbi marrëdhëniet e tij me elitën botërore të biznesit dhe teknologjisë.

Pas publikimit të dosjeve, emrat e përmendur kanë tentuar të distancohen nga çdo raport me Epstein. Ndërkohë, Departamenti i Drejtësisë ka nxjerrë në dritë mbi tre milionë dokumente, të cilat hedhin dritë mbi rrjetin e gjerë të kontakteve që ai kishte me politikanë, miliarderë dhe figura të njohura publike.