KreuCelebrity

Distria Krasniqi triumfon në Paris, fiton medaljen e artë në Grand Slam

Distria Krasniqi triumfon në Paris, fiton medaljen e artë në
Distria Krasniqi ka shkëlqyer sërish në arenën ndërkombëtare të xhudos, duke i dhuruar Kosovës një tjetër sukses madhor. Xhudistja me origjinë shqiptare u ngjit në podiumin më të lartë të Grand Slam Paris, pasi fitoi medaljen e artë në kategorinë deri në 52 kilogramë.

Finalja u mbyll në mënyrë spektakolare, teksa Krasniqi e mposhti spanjollen Ariane Toro Soler me Ippon në më pak se dhjetë sekonda, duke treguar edhe një herë nivelin e saj të jashtëzakonshëm teknik dhe përgatitjen e lartë.

Rrugëtimi i saj në këtë turne nisi nga raundi i dytë, pasi raundin e parë e kaloi pa luftë falë renditjes së saj të lartë në klasifikimin botëror. Në përballjen e parë, ajo dominoi francezen Alicia Marques, duke siguruar pa vështirësi kualifikimin në çerekfinale.

Në këtë fazë, Krasniqi u përball me brazilianen Larissa Pimenta, në një duel shumë të fortë dhe të balancuar. Pas një beteje të gjatë, xhudistja kosovare arriti të siguronte fitoren në kohën shtesë, duke kaluar në gjysmëfinale.

Në gjysmëfinale, ajo mposhti edhe francezen Amandine Buchard, për të siguruar vendin në finale, ku përballë kishte spanjollen Ariane Toro Soler. Me fitoren e shpejtë dhe bindëse në finalen e madhe, Distria Krasniqi kurorëzoi një tjetër paraqitje të shkëlqyer.

Kjo medalje e artë përbën suksesin e saj të nëntë në Grand Slam Paris, duke konfirmuar edhe një herë statusin e saj si një nga xhudistet më të suksesshme në botë.