KreuCelebrity

EMRAT / Dosjet “Epstein” tronditin edhe Hollywood-in

EMRAT / Dosjet “Epstein” tronditin edhe Hollywood-in
Publikimi i dosjeve të reja mbi Jeffrey Epstein nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë, javën e kaluar, ka shkaktuar një valë të re reagimesh dhe tronditjeje, këtë herë duke prekur drejtpërdrejt edhe botën e artit dhe showbiz-it ndërkombëtar. Dokumentet përmbajnë materiale të ndryshme, përfshirë email-e dhe fotografi, ku përmenden emra të njohur nga industria e muzikës dhe kinemasë, duke rikthyer në vëmendje dimensionet tronditëse të çështjes Epstein.

Një nga emrat që ka shkaktuar reagime të forta është ai i reperit dhe producentit të njohur Jay-Z. Emri i tij përmendet në dëshminë e një viktime anonime, e cila deklaron se pas një episodi ku ishte droguar dhe abuzuar seksualisht, kishte parë në dhomë Jay-Z dhe producentin e filmave Harvey Weinstein, i dënuar për krime seksuale. Ky pretendim ka shkaktuar një goditje serioze për imazhin publik të reperit dhe të bashkëshortes së tij, Beyoncé.

Pas publikimit të dosjeve, çifti i famshëm ka mbajtur një profil të ulët publik. Ata munguan edhe në ceremoninë e ndarjes së çmimeve Grammy, e mbajtur vetëm pak orë pas publikimit të dokumenteve, ndërsa ndjekësit e tyre në rrjetet sociale janë reduktuar ndjeshëm brenda një kohe shumë të shkurtër. Kujtojmë se Jay-Z ishte kritikuar edhe më herët për raportin e tij të afërt me reperin P. Diddy, i cili u dënua për krime seksuale dhe aktualisht ndodhet në burg.

Në dosjet e publikuara përmendet gjithashtu edhe emri i aktorit Leonardo DiCaprio, i cili shfaqet disa herë në email-et e shkëmbyera nga Epstein. Në një prej tyre, në vitin 2009, Epstein i shkruan ish-ambasadorit britanik në SHBA, Lord Peter Mandelson, duke përmendur DiCaprio-n në kontekstin e promovimit të produkteve ndërkombëtare. Në dokumente të tjera përmendet edhe një përpjekje për të organizuar një takim mes DiCaprio-s dhe regjisorit Woody Allen, i cili gjithashtu ka qenë pjesë e rrethit shoqëror të Epstein.

Për më tepër, sipas dëshmisë së një personi që i ka bërë masazh Epsteinit, ky i fundit dyshohet se kishte deklaruar se shoqërohej me Leonardo DiCaprio-n. Megjithatë, burime pranë aktorit kanë mohuar çdo lidhje direkte, duke theksuar se DiCaprio nuk e ka takuar kurrë Epstein dhe nuk ka pasur dijeni për aktivitetet e tij kriminale.

Dosjet përmendin edhe aktorin George Clooney. Në një shkëmbim mesazhesh të vitit 2010 mes Epstein dhe Lord Mandelson, përmendet një udhëtim në Kopenhagen dhe bëhen komente që kanë ngjallur dyshime dhe reagime në opinionin publik, edhe pse deri më tani nuk ka asnjë akuzë direkte ndaj aktorit.

Lista e personazheve të famshëm përfshin gjithashtu këngëtarin legjendar Mick Jagger, për të cilin ekziston një fotografi ku ai shfaqet në shoqërinë e Epstein dhe ish-presidentit amerikan Bill Clinton. Edhe Clinton përmendet në dosje si një figurë që kishte kontakte shoqërore me financierin e ndjerë.

Ndërkohë, dosjet e publikuara më herët përfshinin materiale që lidhnin Epstein me figura të tjera të njohura, si Michael Jackson, Kevin Spacey dhe emra të tjerë të industrisë së argëtimit, duke nxitur debate të vazhdueshme mbi përgjegjësinë, njohuritë dhe marrëdhëniet e tyre me Epstein.

Publikimi i këtyre dokumenteve ka rihapur një kapitull të errët që vazhdon të hedhë hije mbi figura të fuqishme dhe të famshme, duke shkaktuar një “tërmet” të vërtetë në Hollywood dhe më gjerë, ndërsa reagimet dhe pasojat mediatike pritet të vijojnë edhe në ditët në vazhdim.