KreuCelebrity

Hera e parë e Kate Winslet!

Hera e parë  e Kate Winslet!

Në moshën 50 vjeçe, aktores nuk i intereson më çfarë mendojnë njerëzit për të. Ajo mund të flasë për rrjetet sociale, ilaçet për humbje peshe, por edhe për faktin se i është dashur kaq shumë kohë për t'u bërë regjisore. 

Kate Winslet sapo është kthyer nga Los Angeles ku ka promovuar “Goodbye June”, një film i hidhur dramatik që tregon jetën e një gruaje të diagnostikuar me tumor në fazë terminale, e cila gjendet e rrethuar nga njerëzit e afërt pak para Krishtlindjeve. Ky është debutimi i parë regjisorial i Winslet dhe ajo ndihet tejet entuziaste. Duke pasur parasysh karrierën e saj si fituese e çmimeve Oscar; disa trofe BAFTA, Golden Globe dhe Emmy, ajo rrëfen se mezi ka pritur të jetë pas kamerës. "Nuk do ta kisha bërë kurrë nëse nuk do të isha gati. Mund ta kisha bërë më parë? Po, por isha duke u kujdesur për familjen, sepse nuk jam nga ata persona që i bëjnë gjërat përgjysmë”, thotë ajo. Winslet ka tre fëmijë, vajzën Mia, 25 vjeçe, dhe djemtë Joe, 21 vjeç dhe Bear, 12 vjeç. “Një pjesë e arsyes pse ka kaq pak regjisore femra – edhe pse kjo po ndryshon pak – është sepse kemi fëmijë për të rritur. Nuk është e lehtë të largohesh dhe t’i lësh vetëm", shprehet ajo. Ky moment si regjisore, kujton ajo, erdhi në një periudhë kur sapo kishte mbaruar detyrat si grua, bashkëshorte dhe nënë. Ndaj ishte aq entuziaste, sa sapo mbaroi xhirimet, filloi menjëherë montazhin, miksimin e zërit, si dhe muzikën e filmit. “Goodbye June” e gjeti atë në momentin kur jeta familjare ishte stabilizuar dhe po e priste atë si regjisore në kuptimin e plotë: skenari u shkrua nga djali i saj, Joe Anders (nga martesa me regjisorin Sam Mendes), i cili e ka zhvendosur në film përvojën e tij me gjyshen, e cila ndërroi jetë në vitin 2017. Winslet u befasua nga skenari dhe u bind për ta shndërruar në një film. Ata u ulën së bashku dhe krijuan një listë ëndrrash për aktorët: Helen Mirren dhe Timothy Spall, dhe për habinë e saj, aktorët,  të gjithë thanë ‘po’. 

Vajza e Winslet, aktorja Mia Threapleton, me të cilën luajti në filmin fitues të çmimit BAFTA "I Am Ruth" dhe i biri Anders tani kanë të vendosur të hyjnë në biznesin familjar, por Winslet nuk ka harruar t’u japë një këshillë për industrinë e filmit: "Thjesht ji ai që je. Ji një person i mirë, ji vetvetja. Ji mirënjohës. Ji i përulur. Bëj punën... Mos u vono kurrë". Kjo qasje i ka dhënë Winslet suksesin. Sa i përket aspektit më sfidues, atij të rolit të regjisores, Winslet pohon se pjesa më e vështirë ishte të linte çdo shqetësim familjar dhe të fokusohej te filmi. Eksperienca me regjisorë të njohur gjatë karrierës, si: James Cameron Sam Mendes dhe Todd Haynes, i kishte mësuar ndër vite rreth asaj që ndodh në sheshxhirim.  

Sinqeriteti i Winslet ka qenë gjithmonë pjesë e sharmit të saj, ndaj nuk e mohon se i dinte vështirësitë, sidomos kur rolet ndryshojnë – regjisori është grua dhe aktorët burra. “Ka një tjetër këndvështrim, regjisorët burra nuk i refuzon dot, duhet t’u bindesh, ndërsa gratë janë më sfiduese”. Tema e filmit lidhet edhe me jetën e saj dhe shumë grave që sakrifikojnë karrierën për familjen. Këtë Winslet shpesh e quan “xhonglimi i të gjithave” – sesi presionet e të qenit një grua në karrierë dhe me familje duhet të sakrifikojë. Personazhi i Winslet është gruaja tipike e moshës së mesme e mbingarkuar nga rritja e fëmijëve, kujdesi për prindërit e moshuar dhe puna e vështirë. “Ajo që më pëlqeu te personazhi i Julias është se ajo është si shumë gra që njoh dhe si unë ndonjëherë. Edhe pse kam arritur të kem një karrierë si aktore, kjo nuk e ndryshon faktin se si çdo grua dal nga shtëpia para se fëmijët të jenë zgjuar dhe të vrapoj për t'u kthyer para se të kenë fjetur gjumë. Janë këto momente kur edhe unë jam ndier në faj dhe nuk kam kaluar më shumë kohë me familjen time”, thotë ajo. Filmi u shfaq për Krishtlindje, por edhe pse nuk kishte atmosferë festive, solli një temë e cila preku zemrat e amerikanëve, një histori e trishtë, por me mesazh të fortë. “Koha e festave na bën të mendojmë se duhet të kujdesemi më shumë për njëri-tjetrin, të gjejmë kohë të rrimë bashkë, të krijojmë kujtime”, thekson aktorja. 

Tani, e formuar si grua e nënë, aktore dhe producente, nuk e fsheh se në të kaluarën ka qenë e bullizuar, por asgjë nuk e ka ndaluar drejt ëndrrës. Kujton si është turpëruar nga shokët, madje edhe mësuesit për pamjen në fillesat e saj, madje një mësuese i kishte thënë se duhej të kënaqej me role vajzash të shëndosha. “Asokohe nuk aspiroja role kryesore, madje as më pas, kjo për shkak të asaj që më ishte thënë. Por, kur fillova ta merrja më seriozisht këtë punë, rolet erdhën vetë – pa menduar çfarë thonin të tjerët. Secili prej nesh ka një rol në jetë dhe askush nuk mund ta luajë atë më mirë sesa ne”, shpjegon aktorja. Ajo tani nuk e ka aspak kompleks peshën dhe pamjen, edhe pse e ka kaluar vetë dhimbjen në lëkurë. Kujton se ka kaluar një periudhë të fortë emocionale kur u përball me median, pasi u bë e njohur në rolin e Rose në filmin “Titanic” të James Cameron në vitin 1997. “Ndiqesha nga paparacët, telefoni përgjohej, madje më kontrollonin dhe koshin e mbeturinave, pyesnin në dyqane çfarë blija, çfarë dietë mbaja. Ishte e tmerrshme dhe kjo ndikoi në problemet martesore. Sot nuk fsheh asgjë: jeta është shumë më e mirë pa sekrete”.  

Kate ka qenë ndër të vetmet aktore që ka folur hapur rreth portretizimit të saj në media, duke zbuluar se shpesh imazhet në kopertinat e revistave ishin modifikuar pa dijeninë e saj. “Kur kam parë fotot kam thënë, unë nuk dukem kështu, barku im nuk është kaq i sheshtë, këmbët nuk i kam kaq të gjata dhe gjoksi im nuk është kaq i madh. Nuk doja që asnjë grua, ta shihte atë imazh dhe të mendonte: "Dua të dukem kështu".

Kur e pyet për rutinën e bukurisë, aktorja pranon se filozofia e saj është të mos e kritikojë veten. “Bëj çmos të kujdesem për veten nga brenda dhe jo anasjelltas. Jam e butë me veten dhe besoj se negativiteti krijon zemra dhe mendje të shëmtuara. Njerëzit e mirë, të dhembshur dhe kuriozë janë njerëzit më të bukur që njoh". Në rutinën e saj të kujdesit për lëkurën nuk e tepron me produktet kozmetike, preferon përbërës natyralë, më shumë trajtime kundër rrudhave, si dhe pastrues të mirë. "Gjëja që kam filluar të bëj së fundmi është të marr kolagjen. Kam qenë skeptike në lidhje me efektivitetin dhe shkencën që qëndron pas kolagjenit pluhur, por jam vërtet e mahnitur nga rezultatet”. Ajo po mëson më shumë të relaksohet me kalimin e moshës duke qenë edhe aktive, po ashtu duke notuar thuajse çdo ditë. “Nuk përdor shumë grim, as parfume, por i dua shumë buzëkuqët dhe fondatinat me cilësi shumë të mirë. Ndihem më e bukur çdo mëngjes, kur zgjohem me njeriun më të mrekullueshëm në botë", përfundon aktorja Kate Winslet.