
Pas disa muajsh spekulimesh, Arbana Osmani do të rikthehet në ekran, këtë herë si drejtuesja e sezonit të ri të “Ferma VIP”. Burime pranë produksionit kanë konfirmuar se sezoni i ardhshëm do të nisë në mars dhe do të sjellë një koncept të ri televiziv, me risi edhe në regji, nën drejtimin e Eduart Grishajt.
Moderatorja ka vendosur që të ketë dorë të lirë në përzgjedhjen e kastit, dhe nga informacionet që qarkullojnë, emrat e VIP-ave që do të marrin pjesë do të jenë më të njohur se kurrë më parë. Ndër të përfolurit janë edhe disa personazhe të “Big Brother” të viteve të fundit, që kanë qenë edhe të ftuar në emisionin “Mirëmbrëma Yje” të Arbanës.
Rikthimi në ekran i Arbana Osmanit vjen pas disa viteve larg ekranit dhe me disa kushte të vendosura për produksionin, si për pagesën, ashtu edhe për përzgjedhjen e pjesëmarrësve. Një ofertë bujare e ka bindur moderatoren ta pranojë këtë sfidë të re.
Në një deklaratë të fundit, Arbana rrëfeu motivet që e bënë të largohej më parë nga “Big Brother” dhe pse tani vendosi të rikthehet:
“2 vite më parë, ndoshta në këtë orë, në një studio të madhe me shumë drita, në programin që kishte mbërthyer shqiptarët brenda dhe jashtë kufijve, e vetmja gjë që mezi po prisja të ndodhte ishte që ai program të mbaronte! Isha në pozicionin më të lakmuar që një prezantues televiziv mund të ketë, audiencë maksimale, sukses i jashtëzakonshëm, rroga me shumë zero, kontrata marketingu, tituj në portale.
Afërmendsh, kushdo që ishte afër meje asokohe dhe dëgjonte që thosha se vitin tjetër nuk do të isha më në prezantimin dhe drejtimin e ‘Big Brother’, më thoshte se po ja fus kot, se po bëj shumë gabim! Se është maja e spektaklit, se do ishte fundi i karrierës, se do më mbylleshin të gjitha dyert, se nuk ka asnjë njeri të pazëvendësueshëm, se do pendohesha.
Natyrisht, një pjesë dolën të vërteta. E pavarësisht korit që kisha kundër atë kohë, unë vendosa të largohesha, jo pa keqardhje, por se po humbisja diçka më të rëndësishme se suksesi, ambicia dhe paratë. Se po humbisja veten time!”
Sezoni i ri i “Ferma VIP” pritet të sjellë emocione, rivalitete dhe surpriza, ndërsa rikthimi i Arbanës në drejtim premton një spektakël tërheqës dhe me VIP-a më të famshëm se kurrë më parë.
