Aktorja e njohur Charlize Theron ka ndarë një nga momentet më të errëta dhe tronditëse të jetës së saj, duke zbuluar detaje rrëqethëse nga fëmijëria e saj në një intervistë të fundit.
Fituesja e çmimit Oscar ka rikujtuar natën kur nëna e saj qëlloi dhe vrau babanë e saj në vetëmbrojtje, pasi ai u kthye në shtëpi i dehur dhe i dhunshëm. Sipas rrëfimit të saj, ai hyri me forcë në shtëpi duke qëlluar me armë, ndërsa ajo dhe nëna e saj përpiqeshin të mbanin të mbyllur derën e dhomës së gjumit.
“Ai do të na vriste,” është shprehur Theron, duke përshkruar momentet dramatike kur plumbat depërtonin nëpër derë, por fatmirësisht nuk i prekën.
Në atë situatë ekstreme, nëna e saj reagoi duke marrë armën dhe duke qëlluar ndaj tij, duke i marrë jetën. Ngjarja më pas u cilësua ligjërisht si vetëmbrojtje.
Aktorja, e cila ishte vetëm 15 vjeçe në atë kohë, thekson se sot nuk jeton më me frikë apo e përndjekur nga e kaluara. Përkundrazi, ajo ka zgjedhur të flasë hapur për këtë përvojë për të ndihmuar persona të tjerë që kanë përjetuar dhunë në familje.
Theron shprehet se kjo ngjarje ka ndikuar thellësisht në mënyrën si ajo e sheh jetën, forcën dhe mbijetesën. Ajo lidh gjithashtu përvojën e saj me rolet e forta dhe luftëtare që ka interpretuar në karrierën e saj në Hollywood.
