KreuCelebrity

CEO i Astronomer jep dorëheqjen pas videos virale në koncertin e Coldplay

CEO i Astronomer jep dorëheqjen pas videos virale në koncertin e
Andy Byron ka dhënë dorëheqjen nga pozicioni i tij si Drejtor Ekzekutiv i kompanisë së inteligjencës artificiale Astronomer, pas publikimit të një videoje që u bë virale në rrjetet sociale.

Në pamjet që qarkulluan gjerësisht në TikTok, Byron shfaqej duke përqafuar menaxheren e burimeve njerëzore të kompanisë, Christine Cabot, gjatë një koncerti të Coldplay në Boston. Momenti u kap nga kamera e stadiumit dhe u transmetua në ekranin gjigant, duke i ekspozuar para një audience të madhe dhe më pas para miliona njerëzve online. Videoja ka grumbulluar mbi 80 milionë shikime, duke nxitur një reagim të madh publik.

Pas kësaj ngjarjeje, kompania lëshoi një deklaratë zyrtare, ku theksoi rëndësinë e ruajtjes së vlerave dhe standardeve të brendshme:

“Siç u tha më parë, Astronomer është e përkushtuar ndaj vlerave dhe kulturës që na kanë udhëhequr që nga themelimi ynë. Udhëheqësit tanë janë të thirrur të vendosin standardet si për sjelljen ashtu edhe për llogaridhënien, dhe kohët e fundit, këto standarde nuk janë përmbushur,” – thuhet në deklaratë.

Dorëheqja e Byron u pranua nga Bordi i Drejtorëve, ndërsa detyrën e CEO-së e ka marrë përkohësisht bashkëthemeluesi i kompanisë dhe drejtori kryesor i produkteve, Pete DeJoy.

Kompania ka sqaruar gjithashtu se Byron nuk ka lëshuar asnjë deklaratë personale pas incidentit dhe ka mohuar çdo citim që i është atribuar atij në rrjete sociale. Gjithashtu, është theksuar se në video nuk shfaqen punonjës të tjerë të Astronomer.