Serena Marku, 11-vjeçarja shqiptare nga Lezha që jeton në Itali, po shkëlqen në skenën e muzikës për fëmijë duke u kualifikuar në sezonin e katërt të “The Voice Kids Italy”. Ajo jeton në Grosseto me nënën dhe partnerin e saj, ndërsa babai ndodhet në Shqipëri ku punon si picajol, një profesion për të cilin Serena është shumë krenare.
Megjithëse në fillim mund të duket e qetë, Serenës i mjafton pak kohë për të treguar anën e saj më të gjallë, të talentuar dhe spontane. Pasioni për muzikën e ka shoqëruar gjithmonë, por zbulimi i talentit të saj në këndim erdhi pothuajse rastësisht, brenda mureve të shtëpisë, ku kuptoi se kishte një dhunti të veçantë.
Gjatë audicionit për The Voice Kids, Serena performoi këngën ikonike të Whitney Houston, “I Wanna Dance with Somebody (Who Loves Me)”, duke mahnitur jurinë me energjinë, karizmën dhe sigurinë e saj në skenë. Anëtarët e jurisë theksuan se performanca e saj ishte kaq fuqishme sa i ngriti të gjithë në këmbë, duke vlerësuar lirshmërinë, guximin dhe zërin e saj të pasur vokalisht, veçanërisht për moshën e saj.
Pavarësisht insistimit të këngëtarit të njohur Nek për ta pasur në skuadrën e tij, Serena zgjodhi të bëhet pjesë e ekipit të Loredana Bertè, një nga ikonat e muzikës italiane.
Sezoni i katërt i The Voice Kids Italy nisi transmetimin më 10 janar 2026 në Rai 1, me një panel trajnerësh që përbëhet nga Arisa, Loredana Bertè, Clementino dhe Rocco Hunt (si trajnerë dyshe), si dhe Nek, ndërsa moderimin e vijon për të katërtin sezon radhazi Antonella Clerici.
Me një zë të madh dhe një talent të jashtëzakonshëm, Serena Marku po përfaqëson denjësisht Lezhën dhe shqiptarët, duke treguar se pasioni, përkushtimi dhe puna e palodhur nuk njohin kufij.
