Emri i Julio Iglesias është vënë sërish në qendër të kritikave, pasi në rrjetet sociale ka nisur të qarkullojë një video e vjetër televizive që sot shihet me sy krejt tjetër. Bëhet fjalë për një intervistë të transmetuar në vitin 2005 në emisionin e njohur argjentinas të Susana Giménez, ku sjellja e këngëtarit po konsiderohet nga shumë si e papërshtatshme dhe shqetësuese.
Rikthimi i videos vjen në një moment tepër delikat për artistin 82-vjeçar, i cili është përfshirë në një hetim gazetaresk të publikuar nga elDiario.es dhe Univision Noticias. Hetimi përmban dëshmi të dy ish-punonjëseve që kanë punuar në rezidencat e tij në Republikën Dominikane dhe Bahamas, të cilat e akuzojnë Iglesias për abuzim seksual, dhunë fizike dhe një ambient pune poshtërues dhe intimidues.
Në pamjet e intervistës, Iglesias shihet duke këmbëngulur disa herë ta puthë në buzë prezantuesen Susana Giménez, pavarësisht refuzimit të saj të qartë. Në një moment, ai e kap me të dyja duart nga koka për ta afruar, ndërsa Giménez përpiqet ta ndalojë me fjalë dhe gjeste, duke i kujtuar se është një burrë i martuar. Megjithatë, këngëtari vazhdon presionin deri sa arrin ta puthë.
Situata bëhet edhe më e sikletshme kur Iglesias ulet në divan dhe i kërkon vazhdimisht prezantueses të afrohet pranë tij. Susana përpiqet ta menaxhojë momentin me shaka dhe humor, një mënyrë e zakonshme në televizionin e asaj kohe për të zbutur tensionin, por shqetësimi i saj mbetet i dukshëm.
View this post on Instagram
Sot, kjo video po interpretohet si një shembull i normalizimit të sjelljeve të papranueshme në media dhe ka nxitur debate të forta online. Shumë përdorues theksojnë se, në dritën e akuzave të fundit, ky episod merr një domethënie edhe më të rëndë dhe ngre pikëpyetje mbi sjelljen e artistit ndër vite.
Ndërkohë, hetimet lidhur me akuzat ndaj Julio Iglesias vazhdojnë, ndërsa opinioni publik po rishikon me sy kritik figurën e një prej ikonave më të mëdha të muzikës latine.
