SHBA-ja ka vendosur të pezullojë për një afat të pacaktuar procesimin e vizave për qytetarët e 75 vendeve të botës, mes të cilave përfshihen edhe Shqipëria dhe Kosova. Lajmi është raportuar nga Fox News, duke iu referuar një memoje të brendshme të Departamentit të Shtetit amerikan.
Vendimi pritet të hyjë në fuqi më 21 janar dhe do të mbetet aktiv deri në përfundimin e një rishikimi të plotë të procedurave të verifikimit të aplikantëve për vizë. Sipas raportimit, kufizimi bazohet në zbatimin e dispozitës ligjore të njohur si “public charge”, e cila synon të ndalojë hyrjen në SHBA të personave që mund të përbëjnë barrë për sistemin e ndihmave publike.
Në listën e vendeve të prekura përfshihen edhe Bosnja dhe Hercegovina, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut. Serbia, megjithatë, nuk figuron në këtë listë, ndonëse konsiderohet aleati më i afërt i Rusisë në rajon.
Sipas udhëzimeve të reja, oficerët konsullorë duhet të vlerësojnë faktorë si mosha, gjendja shëndetësore, njohuritë e gjuhës angleze, situata financiare dhe rreziku për nevojë për kujdes afatgjatë shëndetësor. Aplikantët e moshuar, ata me probleme shëndetësore ose që kanë përfituar ndihma sociale më herët, mund të përballen me refuzim të vizës.
Lista e plotë e vendeve përfshin: Afganistanin, Shqipërinë, Algjerinë, Antigua dhe Barbudën, Armeninë, Azerbajxhanin, Bahamas, Bangladeshin, Barbadosin, Bjellorusinë, Belizen, Butanin, Bosnjën, Brazilin, Burmën, Kamboxhian, Kamerunin, Kepin e Gjelbër, Kolumbinë, Bregun e Fildishtë, Kubën, Republikën Demokratike të Kongos, Dominiken, Egjiptin, Eritrenë, Etiopinë, Fixhin, Gambian, Gjeorgjinë, Ganën, Grenadën, Guatemalën, Guinenë, Haitin, Iranin, Irakun, Xhamajkën, Jordaninë, Kazakistanin, Kosovën, Kuvajtin, Kirgistanin, Laosin, Libanin, Liberinë, Libinë, Maqedoninë e Veriut, Moldavinë, Mongolinë, Malin e Zi, Marokun, Nepalin, Nikaraguanë, Nigerinë, Pakistanin, Republikën e Kongos, Rusinë, Ruandën, Shën Kitsin dhe Nevisin, Shën Luçinë, Shën Vincenti dhe Grenadinet, Senegalin, Sierra Leonen, Somalinë, Sudanin e Jugut, Sudanin, Sirinë, Tanzaninë, Tajlandën, Togon, Tunizinë, Ugandën, Uruguain, Uzbekistanin dhe Jemenin.

